Nga Gazeta ‘Si’-Parlamenti Europian do të diskutojë sot(3 tetor) lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kjo është bërë e ditur nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula. Ai nënvizoi se gjatë këtij muaji, Parlamenti Europian pritet të miratojë dhe një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, shkruan Picula në profilin e tij në platformën X.
Eurodeputeti kroat, i cili mori përsipër vetë këtë rezolutë, njoftoi se mori shumicën e nevojshme për propozimin e tij. Ndërkohë, gjatë të hënës, Bashkimi Europian konfirmoi se Kosova ka mandate për të hetuar lidhur me sulmin terrorist.
Zëdhënësi Peter Stano tha se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte, ndërsa nuk dha një përgjigje të prerë nëse BE-ja do të ndihmojë në ekstradimin e përgjegjësit të sulmit të armatosur në Banjskë, Milan Radojçiç. Ai nënvizoi se Brukseli është gati t’i vendosë masa Beogradit, nëse vendet anëtare vlerësojnë se kanë dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në agresionin ndaj Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




