Kosova

Kurti: Shumica e sulmuesve në Banjskë, pjesëtarë të dy organizatave terroriste

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se informatat paraprake të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.

Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës.

“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti teksa ka marrë pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit.

Ai e ka komentuar edhe një debat që pritet të zhvillojë Parlamenti Europian të martën, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

"Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit, dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ndokush”, ka thënë Kurti.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Vendndodhja e tij nuk dihet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje "në cilësinë e qytetarit".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë