Gazeta Si – Gjatë bashkëpunimit të tij me drejtësinë, Nuredin Dumani ka përfshirë emra të tjerë në ngjarjet e rënda kriminale që kanë tronditur vendin vitet e fundit.
Sipas burimeve paraprake, Dumani ka pasur një ballafaqim me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes “Plumbi i Artë”, i dyshuar si informator në ekzekutimim e Andi Zylyfit në Peqin.
Gjatë ballafaqimit, Dumani ka treguar para hetuesve se Gosa ka pasur rolin e informatorit edhe në vrasjen e trefishtë në Bradashesh në fund të vitit 2018 në Elbasan, ku u vra Endrit Alibej, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk që udhëtonte me ta, Erdal Duranay.
LEXO EDHE:
– Dosja ‘Plumbi i Artë’ shkon në gjyq për 27 vrasje, grabitje me dhunë dhe krimet e rrëfyera nga Nuredin Dumani
– Masakra e fundvitit në Elbasan, viktimat u takuan në Tiranë. ‘Erjon Alibej pas vrasjes më kërkoi një hekur ose levë’
– Vrasjet e bujshme në Durrës dhe pazaret e të penduarve, Hoxha: Dumani më premtoi 60 mijë euro, por më dha 35!
Gjithnjë sipas burimeve jo zyrtare nga grupi i hetimit, duke iu referuar Dumanit, i përfshirë në këtë atentat ka qenë edhe vëllai i tij, Dashnor Dumani.
Në lidhje me këtë ngjarje, dëshmitari i drejtësisë ka treguar përballë BKH-së se sqarime më të detajuara mund të japë vetëm vëllai i tij.
Nga ana tjetër, Gosa ka kundërshtuar alibinë e të penduarit të drejtësisë, duke u shprehur se ai nuk ka informacion mbi këto ngjarje dhe se nuk ka asnjë njohje me Nuredin Dumanin.
Por, përpara hetuesve, Gosa nuk e ka mohuar njohjen me Talo Çelën, një nga protagonistët kryesorë të grupit kriminal i shpallur në kërkim nga policia, si i dyshuar në disa ngjarje të rënda.
Që kur ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani ka rrëfyer për prokurorët e SPAK disa ngjarje kriminale ku ka qenë vetë i përfshirë.
Dumani pritet të dëshmojë në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, (i penduar i drejtësisë) Besian Xhixhës, dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë.
Lidhur me këto ngjarje akuzohet edhe Talo Çela, por procesi për të është ndarë se është në arrati. Dumani tronditi me dëshmitë e tij për botën e krimit, duke sjellë një sërë arrestimesh.
Ai u arrestua gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, pasi mbeti i plagosur në një atentat. Ai u kthye në të penduar të drejtësisë, dhe ka rrëfyer dhjetëra vrasje të bujshme mafioze të ndodhura gjatë viteve të fundit në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.