Dosje

Nuredin Dumani zbulon ‘informatorin’ në masakrën e Bradasheshit, përfshin edhe vëllain e tij në ngjarje

Gazeta Si - Gjatë bashkëpunimit të tij me drejtësinë, Nuredin Dumani ka përfshirë emra të tjerë në ngjarjet e rënda kriminale që kanë tronditur vendin vitet e fundit.

Sipas burimeve paraprake, Dumani ka pasur një ballafaqim me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes “Plumbi i Artë”, i dyshuar si informator në ekzekutimim e Andi Zylyfit në Peqin.

Gjatë ballafaqimit, Dumani ka treguar para hetuesve se Gosa ka pasur rolin e informatorit edhe në vrasjen e trefishtë në Bradashesh në fund të vitit 2018 në Elbasan, ku u vra Endrit Alibej, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk që udhëtonte me ta, Erdal Duranay.

LEXO EDHE:
- Dosja ‘Plumbi i Artë’ shkon në gjyq për 27 vrasje, grabitje me dhunë dhe krimet e rrëfyera nga Nuredin Dumani
- Masakra e fundvitit në Elbasan, viktimat u takuan në Tiranë. ‘Erjon Alibej pas vrasjes më kërkoi një hekur ose levë’
- Vrasjet e bujshme në Durrës dhe pazaret e të penduarve, Hoxha: Dumani më premtoi 60 mijë euro, por më dha 35!

Gjithnjë sipas burimeve jo zyrtare nga grupi i hetimit, duke iu referuar Dumanit, i përfshirë në këtë atentat ka qenë edhe vëllai i tij, Dashnor Dumani.

Në lidhje me këtë ngjarje, dëshmitari i drejtësisë ka treguar përballë BKH-së se sqarime më të detajuara mund të japë vetëm vëllai i tij.

Nga ana tjetër, Gosa ka kundërshtuar alibinë e të penduarit të drejtësisë, duke u shprehur se ai nuk ka informacion mbi këto ngjarje dhe se nuk ka asnjë njohje me Nuredin Dumanin.

Por, përpara hetuesve, Gosa nuk e ka mohuar njohjen me Talo Çelën, një nga protagonistët kryesorë të grupit kriminal i shpallur në kërkim nga policia, si i dyshuar në disa ngjarje të rënda.

Që kur ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani ka rrëfyer për prokurorët e SPAK disa ngjarje kriminale ku ka qenë vetë i përfshirë.

Dumani pritet të dëshmojë në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, (i penduar i drejtësisë) Besian Xhixhës, dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë.

Lidhur me këto ngjarje akuzohet edhe Talo Çela, por procesi për të është ndarë se është në arrati. Dumani tronditi me dëshmitë e tij për botën e krimit, duke sjellë një sërë arrestimesh.

Ai u arrestua gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, pasi mbeti i plagosur në një atentat. Ai u kthye në të penduar të drejtësisë, dhe ka rrëfyer dhjetëra vrasje të bujshme mafioze të ndodhura gjatë viteve të fundit në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë