Drejtësia

Dosja ‘Plumbi i Artë’ shkon në gjyq për 27 vrasje, grabitje me dhunë dhe krimet e rrëfyera nga Nuredin Dumani

Gazeta Si - Pas rreth një viti e gjysmë, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Nuredin Dumanin dhe 19 persona të tjerë.

Të gjithë akuzohen për 27 vepra penale, nga vrasjet me paramendim, vjedhjet, deri te dhuna dhe korrupsioni.

Të pandehurit, Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tasi, Enver Diva, Besian Xhixha, Erion Alibej, Florenc Çekrezi, Elvis Koçi (Çaushllari), Ilirian Feci, Asllan Plaku, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Gentian Sharra, Agron Qoli, Petrit Qoli, Fatos Gosa, Agron Qafa, Agim Gjini, Xhulian Hoxha dhe Albert Pashaj, akuzohen për vepra penale të kryera në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Hetimi penal i regjistrurar në prill të këtij viti pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe mikut të tij Henrik Hoxhaj nxori në dritë vlera që shkonin nga 30 mijë në 500 mijë euro për ekzekutime, teksa pritet të shtrihet dhe në ngjarje të tjera që janë rrëfyer nga bashkëpunëtorët.

Dëshmitë e dhëna për hetuesit nga dy të penduarit, kanë dokumentuar sipas SPAK deri më tani 18 ngjarje kriminale që datojnë që prej vitit 2011 në Shqipëri, vjedhje e atentate për të cilat janë paguar vlera monetare shumë të larta.

Nuredin Dumani, personazhi i cili ishte ura lidhëse e disa grupeve kriminale, nxori emra të fuqishëm të botës së krimit, si Suel Çela, Ervis Martinaj, Florenc Çapja, Talo Çela, Kamber Mehja, si porositës të disa krimeve, me vlera monetare që shkonin nga 30 mijë deri në 500 mijë euro.

Mësohet se SPAK ka hequr dorë nga bashkëpunimi mes dy të penduarve Henrik Hoxhaj dhe Klevis Alla, pasi dëshmia e tyre është konsideruar si jo e sinqertë.

Për 12 personat e tjerë të cilët janë shpallur në kërkim lidhur me këtë çështje, referuar procedurës do vijojë kërkimi i tyre policor për gati 1 vit, e nëse autoritetet nuk mundin t’i arrestojnë atëherë ndaj tyre do nisë procesi në mungesë.

Akuzat ndaj 20 të pandehurve

1. Sigurimi i mjeteve dhe i kushteve për të vrarë Kastriot (Elton) Kilen më datë 29.03.2022, në Elbasan;

2. Vrasja me paramendim e Filip Gjeloshaj më datë 05.02.2011 rreth orës 22’’, në rrugën ’’Siri Kodra” Tiranë, e mbetur në tentativë;

3. Vjedhje me dhunë e pasurisë së Lirak Bajraktari më datë 22.02.2011 rreth orës 08’’ në qytet Elbasan;

4. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Skënder Rroshi më datë 28.04.2011 në lagjen nr.4, Kavajë;

5. Vrasja me paramendim e Elvis Dedaj më datë 05.06.2012 rreth orës 17:58’’ në lagje nr.13, Durrës, tek hyrja e Restorant “Xhenova”;

6. Vjedhja me armë e pasurisë së Xhemali Liçi më datë 19.12.2012 në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit;

7. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamit Haxhiut më datë 11 Shkurt 2013 rreth orës 04:45’’ në lagjen Popullore (Shijak);

8. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Astrit Ademit më datë 31.05.2013 rreth orës 15:10’’ në fshatin Marikaj (Vorë);

9. Vrasja me paramendim e Fatmira (Habili) Dedaj më datë 14.09.2013 rreth orës 13:30’’ në lagjen nr. 4, në Durrës, në garazhdin e një pallati;

10. Vrasja me paramendim e Arben Islam Çeta, më 14.11.2013, rreth orës 22, në shesh parkimin e bar restorant ‘’Balla’’, në Labinot-Fushë (Elbasan), e mbetur në tentativë;

11. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamdi Sharka më datë 20.04.2017 në fshatin Polizhan (Berat);

12. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më 05.11.2017, rreth orës 19’’, në lagjen “1 Maji”, tek kryqëzimi i ish Parkut (Fier), e mbetur në tentativë;

13. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më datë 03.04.2019, përballë magazinës “Autopassion”, në kryqëzim të parkut, rrugës në drejtim të QTU (Fier), e mbetur në tentativë;

14. Vrasja në rrethana cilësuese ndaj Agim Boriçit e Ilir Boriçit më datë 11.04.2018, rreth orës 11:30, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit, e mbetur në tentativë;

15. Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit më datë 13.12.2019, rreth orës 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan;

16. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Mustafa Subashi më datë 29.01.2020, rreth orës 20:45, kati i parë i një ndërtese të banuar në afërsi të disko “Colombo”, (sektori Teuta), Durrës;

17. Dhuna në familje, ndaj bashkëshortes Blerta Bengasi, ndodhur më datë 30.01.2020, rreth orës 11:30’, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë;

18. Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, më datë 02.03.2020, ora 19:00, në lagjen 14, Durrës;

19. Vrasja në rrethana cilësuese e vëllezërve Besmir Haxhia e Viktor Haxhia më datë 27.04.2020, rreth orës 16.35, në vendin tregu i mjeteve në Shën Vlash, Durrës;

20. Vrasja me paramendim e Emiljano Ramazanit më datë 20 Korrik 2020, në lagje 28 Nëntori, Elbasan;

21. Vrasja me paramendim e Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020, rreth orës 22:00, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në vendin e njohur ‘’Belebej’’, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan;

22. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan;

23. Vrasja me paramendim e Bujar Çelës, më datë 17.09.2020, rreth orës 05:40, në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit (Elbasan);

24. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Talo Çelës më datë 05.11.2020, rreth orës 04:20, në fshatin “Katund i Ri”, Njësia Administrative Bradashesh, Elbasan;

25. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Indrit Dokles në muajt Prill\Maj të vitit 2022, në Tiranë;

26. Vrasje me paramendim e shtetasit Lulzim Masha, më datë 18.01.2022, rreth orës 09:40, në rrugën “Hiqmet Buzi”, pranë Liqenit Artificial (Tiranë), e mbetur në tentativë;

27. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike\ oficerit të policisë gjyqësore Leonard Palushi;

Të arrestuar gjatë operacionit 'Plumbi i Artë"

Nuredin Dumani, 35 vjeç 
 Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
 Altin Ndoci, 35 vjeç
Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
Skerdi Tasi, 31 vjeç
Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
Ilirian Feci, 47 vjeç
Enver Diva, 43 vjeç
Besjan Xhixha, 31 vjeç
Ardjan Uzuni, 56 vjeç
Leonard Palushi, 41 vjeç
Gentian Sharra, 48 vjeç
Fatos Gosa, 54 vjeç
Florenc Çekrezi, 35 vjeç
Petrit Qoli, 51 vjeç
Agron Qoli, 52 vjeç
Agron Qafa, 48 vjeç
 Asllan Plaku, 30 vjeç

Të akuzuarit që janë në arrati
Ervis Martinaj
Florenc Çapja
Talo Çela
Festim Qoli
Alban Bengasi
Elvin Merlika
Alket Xhixha
Marjus (Suel) Lulaj (Çela)
Agron (Kamber) Mehja
Aleks Çela alias (Tom Qorri)
Mikael Qosja (Kamami) (Stefo)
Abedin Mama (Dine Çami)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë