Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, thotë se Ministria e Arsimit përmes një procedure jotransparente, ka bërë publike listën e 500 librave që rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.
Sipas tij, në këtë listë nuk ka asnjë libër nga institutet albanologjike, as botimi më i rëndësishëm historik e shkencor që është Historia e Shqiptarëve gjatë shekullit XX.
“Çfarë po ndodh me Ministrinë e Arsimit? Në një procedurë jo transparente (MAS thotë se është konsultuar me rrjetet profesionale të mësuesve dhe shoqatat e botuesve), MAS ka bërë publike listën me 500 libra që rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave. Më e habitshmja, në 500 librat e preferuar dhe të përzgjedhur të MAS nuk bën pjesë ASNJË libër nga institucionet albanologjike, instituti i historisë, gjuhësisë, letërsia, antropologjia apo instituti arkeologjik. Asnjë. ASA? Asnjë. As botimi më i rëndësishëm historik dhe shkencor, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, absolutisht asnjë. Po ashtu asnjë libër mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës, zgjedhjet dhe institucionet. Autor nga botimet albanologjike në Kosovë? Jo dhe jo”, shkruan Krasniqi në rrjetin social “Facebook”.
Ai shton se brezave të rinj u ofrohen tituj e botime amatorësh, spekulativë dhe pas asnjë vlerë shkencore e formimi.
“Imagjinoni sa larg ka shkuar lobimi personal dhe politik sa brezave të rinj u ofrohen tituj e botime, midis të cilëve disa amatore dhe spekulative dhe pa asnjë vlerë shkencore e formimi, duke i privuar nga botimet e vetme shkencore që kanë kaluar testimin dhe vlerësimin shkencor dhe akademik!”.
Ndër të tjera, ai thotë se “Ministria e Arsimit e mbylli albanologjinë por aktet kundër saj nuk mund të shkojnë deri tek censurimi dhe refuzimi zyrtar dhe në bllok i botimeve albanologjike”.
Akuzave të Krasniqit u është përgjigjur Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Paruniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, njëherësh drejtues i bordit për listën rekomanduese të titujve për bibliotekat e shkollave, Shkëlqim Allkaj. Në cilësinë e drejtuesit të grupit të punës, Allkaj sqaron se MAS ndërmori nismën për rishikimin listës së miratuar në vitin 2021 me qëllim që të hartohet një listë me tituj librash që t’u shërbejë realisht nxënësve dhe mësuesve, por edhe të jetë sa më e pranuar nga grupet e interesit.
Ai shton se fakti që MAS e ka bërë publike këtë listë, duke kërkuar sugjerime, mendime e propozime nga kushdo që ka interes për këtë proces, tregon të kundërtën e asaj që Krasniqi thotë në postimin e tij, ku flet për mungesë transparence për “grupime të dyshimta”, apo duke prekur çështje të tjera, që nuk kanë lidhje me bibliotekat e shkollave.
“Qëllimi kryesor i funksionimit të bibliotekave në shkolla është realizimi me efektivitet i programit mësimor, nëpërmjet shfrytëzimit të titujve që gjenden në fondin e tyre. Gjithashtu, nëpërmjet tyre synojmë nxitjen tek nxënësit të dëshirës për lexim. Bibliotekat mund të shërbejnë edhe për zhvillimin profesional e personal të mësuesve. Ministria përgjegjëse për arsimin që nga viti 2002, ka hartuar dhe miratuar titujt e librave për bibliotekat e shkollave. Lista e fundit me 630 tituj është miratuar në vitin 2021. Kjo listë u përzgjodh nga dy borde, njëri për literaturën shkencore e didaktike dhe tjetri për literaturën artistike, anëtarët e të cilëve ishin pedagogë e studiues të njohur. Edhe pse bënë një punë të vështirë dhe profesionale, përsëri gjuha e akuzave, dyshimeve dhe e përbaltjes nuk mungoi”, nënvizoi Allkaj.
Ai sqaron se “kërkuam nga rrjetet profesionale të mësuesve (mësuesit e të gjitha lëndëve, në të gjitha zyrat arsimore të vendit janë të organizuar në rrjete profesionale), dhënien e propozimeve për titujt që ata vlerësojnë se i shërbejnë mësimit dhe edukimit të nxënësve të çdo moshe, dhe që ata vlerësojnë se duhet të jenë në bibliotekat e shkollave. Bazuar në këtë kërkesë të MAS, mësuesit në të gjithë vendin propozuan një listë me 750 tituj. Po me kërkesë të ministrisë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dërgoi zyrtarisht propozimin e saj prej 930 titujsh, ndërkohë që Shoqata e Botuesve të Teksteve Shkollore propozoi 230 tituj. Për shqyrtimin e këtyre propozimeve u ngrit një bord, i cili në përfundim të detyrës së ngarkuar, hartoi një listë paraprake me 500 tituj, e cila tashmë është publikuar për konsultim”.
“Fakti që MAS e ka bërë publike këtë listë, duke kërkuar sugjerime, mendime, propozime etj, nga kushdo që ka interes për këtë proces, tregon të kundërtën e asaj që Krasniqi thotë në postimin e tij, ku flet për mungesë transparence për “grupime të dyshimta”, apo duke prekur çështje të tjera që nuk kanë lidhje me bibliotekat e shkollave. Mësuesit jo vetëm që nuk mund të quhen grupime propozuesish të dyshimtë, por ne mendojmë se ata si njohësit dhe zbatuesit e drejtpërdrejtë të programit mësimor lëndor, janë më afër se kushdo për përcaktimin e titujve që duhet të jenë në shkollë”, sqaroi Allkaj.
Gjithashtu, shtoi ai, vlerësojmë se botuesit nëpërmjet shoqatave të tyre, por edhe individualisht kanë rol domethënës në dhënien e propozimeve për titujt e bibliotekave të shkollave.
“Pavarësisht kësaj, ne i kërkojmë kujtdo që para se të akuzojë apo të përbaltë punën e bërë në këtë drejtim, të dërgojë zyrtarisht listën e librave që propozon të jenë në bibliotekat e shkollave, si dhe titujt që mendon se nuk duhet të jenë, duke dhënë edhe argumentet përkatëse për propozimet e bëra”, tha Allkaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.