Treg

Kaosi i Kadastrës bllokon gjithçka me pronat. Asnjë shitje në tregun e pasurive të paluajtshme

Shefi i Organizimit të PD së drejtuar nga Berisha, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat u shpreh se Kadastrës nuk i punon as sistemi elektronik dhe as analogu, teksa deklaroi se "kjo nuk ishte gjë tjetër veçse mjegull pompoziteti poshtë së cilës fshihet dora e gjatë e vjedhjeve"

Nga Gazeta ‘Si’ – Mbyllja e çdo sporteli të kadastrës shtetërore dhe ofrimi i shërbimit vetëm online nëpërmjet e-Albania ka futur në kaos tregun e pasurive të paluajtshme.

Prej fillimit të korrikut, kur u njoftua digjitalizimi i sistemit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk po lëshon asnjë dokumentacion pronësie as për kompanitë që ofrojnë shërbime në fushën e real-estate.

Vonesat në marrjen e kartelave të pasurisë, hartave apo në rifreskimin e dokumenteve, po bllokojnë të gjithë vijimësinë e procesit.

LEXO EDHE:
– Bllokohet Kadastra? Ngec digjitalizimi i shërbimeve, qytetarët s’marrin asnjë përgjigje që prej 3 korrikut
– Historia e shkurtër e një dështimi – A do ta mundë digjitalizimi krimin në Kadastër?
– S’ka më njerëz te Kadastra, aplikimet në zyra avokatore e kancelari. Tarifat s’janë kudo njësoj

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në dy zyra noterie në kryeqytet ditën e sotme (18 gusht), konstatoi se ankesat nuk ndryshonin fort nga njëra në tjetrën.

Njëra nga noteret pranë Urës së Tabakëve, pa u identifikuar, deklaroi për Gazetasi.al se pikërisht në këtë periudhë kur tipikisht kryhen më shumë transaksione (për shkak të prurjeve të emigrantëve) procesi ka mbetur pezull.

“Kur një zyrë noterie bën një shitje prone, duhet ta verifikojë atë fillimisht. Nëse prona nuk verifikohet, shitja nuk mund të realizohet dhe pa shitjen nuk bëjnë dot regjistrimin. I gjithë ky proces është i varur nga përgjigja e Kadastrës që prej më shumë se një muaji nuk vjen”, vëren ajo për Gazetasi.al, ndërsa shtoi se afati ligjor për marrjen e një kartele zakonisht është 5 ditë deri në një javë.

“Po bëhen gati dy muaj që çdo gjë është bllokuar dhe nuk e dimë për sa kohë do vijojë kështu kjo situatë. Agjentët imobiliarë të pronave nuk po munden dot të kryejnë asnjë transaksion”, shton më tej ajo. Sipas noteres, deri tani janë marrë vetëm përgjigjet e aplikimeve që janë bërë para 3 korrikut, kur nuk kishte nisur ende zbatimi i reformës për digjitalizimin e kadastrës.

“Aplikimet që janë bërë pas kësaj date kanë mbetur thuajse të gjitha pa përgjigje edhe pse mund të jenë më baziket, siç është kartela e pasurisë. Por megjithatë aplikimet tani nuk mund të kuptohen në çfarë faze janë, si dikur kur ne mund ta kuptonim nëse ishte në procesim arke apo në procesim specialisti”, vëren ajo për Gazetasi.al.

Agjentët e tregut imobiliar deklarojnë se përpos faktit se puna e tyre ka mbetur pezull, janë hasur edhe me ngërçe të tjera.

Dritan Leka nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM Smart” deklaron se reforma e digjitalizimit ka sjellë që një aplikim për shitje prone në Tiranë të shfaqet në sistemin e kadastrës së një qyteti tjetër, të cilët nuk janë në gjendje të përpunojnë të dhënat për Tiranën, duke krijuar për rrjedhojë shumë shqetësime.

Edhe aplikimet më bazike, si hartat kadastrale, kanë mbetur prej javësh pa përgjigje

Ndërkohë edhe nga agjencia imobiliare “Remax” ngrejnë të njëjtat shqetësime.

“Gjithmonë në këtë periudhë ka shumë fluks për të kryer transaksione nga emigrantët që kthehen në Shqipëri dhe interesohen për të blerë prona. Megjithatë për shkak të afateve kohore, nuk kanë mundësi që të qëndrojnë këtu për shumë kohë dhe janë kryer shumë anulime. Sidomos kur kanë kuptuar që procesi po zgjat deri në 60 ditë, janë stepur menjëherë. Fakti që ende nuk kemi një përgjigje të saktë se kur mund të marrim përgjigjet, nënkupton që puna do vijojë të jetë e ngecur edhe për ca kohë”, deklarojnë agjentët imobiliarë për Gazetasi.al.

Ndërkohë, në agjencitë rajonale të Kadastrës në Shqipëri ka nisur dhe një “reformim” i punonjësve, nga drejtuesit tek specialistët e terrenit.

Duke bërë thirrje për punësime shtesë në këtë institucion, kryeministri Rama përsëriti disa herë se: “Kadastra është bankë dhe asaj i duhen bankierë e jo banakierë!”

Aktualisht janë 71 shërbime kadastrale që merren online përmes platformës e-Albania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë