Ngjarje

Bllokohet Kadastra? Ngec digjitalizimi i shërbimeve, qytetarët s’marrin asnjë përgjigje që prej 3 korrikut

Nga Gazeta Si - “Nga 3 korriku askush nuk bën më gjë në Kadastër”. Me këtë fjali Kryeministri Edi Rama njoftoi digjitalizimin e shërbimeve të Kadastrës, një nismë që prej të paktën 10 ditësh ka stresuar jo pak noterët, të cilët janë gjendur përballë pyetjeve pa përgjigje të qytetarëve që kërkojnë të dinë pse nuk marrin dot një shërbim për të cilin paguajnë.

“Që nga data 3 korrik nuk kemi marrë asnjë përgjigje aplikimi nga Kadastra. Aplikimi bëhet. Bëhet dhe pagesa dhe nuk marrim përgjigjen”, thonë noterët për Gazetasi.al të cilët nuk duan të identifikohen.

Noterët tregojnë se të gjitha aplikimet që janë bërë që nga data 3 korrik e më tej, janë pa përgjigje ndërkohë që përgjigjet që marrin aktualisht u përkasin aplikimeve që kanë bërë para datës 3 korrik, qoftë dhe me datë 2 korrik.

“Kemi marrë përgjigje të aplikimeve që kemi bërë edhe me datë 2 korrik ndërkohë që çdo aplikim që është bërë që nga 3 korriku është pa përgjigje. Kjo tregon se ka një problem me digjitalizimin që nisi këtë fillimkorriku”, thotë një nga noteret me të cilët komunikoi Gazetasi.al.

Ndërkohë, shërbimi funksionon siç duhet. Nuk ka vonesa aplikimi si dikur që kishte probleme, pra aplikimin e bën dhe e merr shërbimin por nuk vjen përgjigjja. I njëjti problem është edhe me shërbimet FAST (shërbimin e shpejtë) ku klienti paguan dyfish vlerën për të marrë përgjigjen brenda 24 orëve pas konfirmimit të pagesës.

“Nga data 3 nuk ka asnjë përgjigje as të këtij shërbimi, edhe pse kanë kaluar 10 ditë. Kjo vonesë po ndodh tek çdo lloj aplikimi, duke nisur nga aplikimi më i thjeshtë si kartela e pasurisë”, thotë noterja.

Sot noterët nuk munden as të gjurmojnë aplikimin. Nëse më parë mundeshin që nëpërmjet e-Albania nga ku kishin bërë aplikimin, ta gjurmonin atë, sot as këtë nuk munden ta bëjnë.

“Më parë kur gjurmonim aplikimin dilte ‘në procesim arka” dhe më pas “në procesim specialisti” që tregonte se në çfarë faze është aplikimi. Tani marrim si ‘përgjigje’ “Në procesim të Load Balancing”.

Ky, siç thonë noterët që foli Gazetasi.al, është një problem që e kanë vetëm me Kadastrën pasi çdo aplikim tjetër në e-Albania vijon të bëhet normalisht, pa asnjë problem.

Gjithë vonesa me përgjigjet pengon vijimësinë e gjithë procesit të shitjes apo blerjes së një prone, marrë si shembull.

“Edhe pse përgjigjet që do të marrin njerëzit, kurdo që do i marrin do jenë të vlefshme, vonesa bllokon gjithë vijimësinë. Ne si zyrë noterie bëjmë shitje të pronave dhe para se të bëjmë shitjen duhet të verifikojmë pronën. Po nuk verifikuam pronën nuk bëjmë dot shitjen dhe pa bërë shitjen nuk bëjmë dot as regjistrim. I gjithë ky proces është i varur nga përgjigja e Kadastrës”, thotë noterja e cila tregon për Gazetasi.al dhe këto vonesa janë kthyer në një stres për të dhe për klientët.

“Në këtë periudhë realizohen më shumë transaksione. Njerëzit vijnë për pushime në Shqipëri dhe përfitojnë nga kjo dhe që të bëjnë shitje apo blerje të pronave ndërkohë që ne jemi të pezulluar”, thotë një nga noterët e cila tregon se gjithë kjo situatë është kthyer në një stres për të duke qenë se mban gjithë ngarkesën e mosfunksionimit të digjitalizimit të Kadastrës.

“U kam thënë njerëzve se cili është shqetësimi dhe sigurisht që e kanë të vështirë ta ‘pranojnë’ se një risi nuk po funksionon, aq më shumë kur bëjnë pagesën dhe nuk marrin shërbimin”, thotë noterja e cila tregon se gjithë jo situatë e ka çorientuar atë në lidhje me marrëdhënien e saj me klientët.

“Është një problem që e kanë në përgjithësi noterët dhe klientët acarohen me ne sepse ne jemi i vetmi kontakt i tyre. Pyesin çfarë po ndodh dhe nuk marrin përgjigje. E vetmja alternativë që kanë është të presin”.

Në këtë situatë, noterët që foli Gazetasi.al thonë se do të donin më mirë që të kishin sistemin e vjetër për të punuar dhe që “klientët të marrin shërbimin për të cilin po paguajnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë