Veshja plot ngjyra e Lumës, ka elemente që nga koha ilire
10:30 - 14 Gusht 2023
Veshja e Lumës së Epërme në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga më magjepset sa i përket ngjyrave. Sara Kadriu nga shoqata Luma e Epërme ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo veshje e trashëguar me shekuj përmban elemente që nga koha ilire. Prej disa vitesh me radhë, në javën e parë të gushtit, mbahet edhe manifestimi “Takimet e Lumës” me qëllim ruajtjen dhe promovimin e traditave./REL/
Një qilim i punuar në tezgjah. Opingat për burra prej lëkure dhe çorapet e qëndisura.Pjesëmarrës me veshje tradicionale gjatë manifestimit “Takimet e Lumës”. Një vajzë me veshjen e Lumës së Epërme, gjatë manifestimit të sivjetmë.
E veçanta veshjes së Lumës është dhe dollomba (dollama) për gratë, që është një tunikë me ngjyrë të kuqe dhe mëngë të gjata e të qëndisura me fije ari ose argjendi të bardhë. ajo po ashtu është e qëndisur edhe në pjesën përparme dhe jakë.
Për të qëndisur vetëm këmishën për nuse, nevojiten muaj të tërë punë dore. Një gërshetim ngjyrash, materialesh e motivesh e bëjnë veshjen kaq të veçantë. “Të gjithë ne e ruajmë me fanatizëm çdo pjesë të veshjes, pasi kjo veshje është shumë e veçantë, i gjithë punimi bëhet me dorë dhe është shumë i vështirë… Ka një ditë të veçantë që ne i themi dita kur e nxjerrim nusen tek kroi, [rite dasmash] dhe të gjithë ne vishemi me këtë veshje sikurse edhe nusja”, tregon Sarah Kadriu nga shoqata “Luma e Epërme”.Shamitë e grave nga Luma e Epërme përbëhen nga motive shumëngjyrëshe. Brezi si pjesë e veshjes tradicionale të burrave.Edhe veshja e burrave është e veçantë me shumë qëndisma, sidomos xhamadani.Gratë e Lumës në raste të veçanta gëzimi, dasma dhe festa familjare, mbajnë “fshturkën”, një kësulë e punuar me dorë me fije prej argjendi ose ari, kurse në pjesën e ballit varen florinj. Pjesë e veshjes për gratë janë edhe çorapet e thurura me dorë e të zbukuruara me qëndisma.Disa gra me veshjen tradicionale të Lumës gjatë edicionit të sivjetmë të manifestimit “Takimet e Lumës së Epërme”. Kjo veshje është shumë veçantë, pasi i gjithë punimi dhe qëndisja bëhen me dorë.Banorët e kësaj ane megjithëse janë shpërngulur në Gostivar, Shkup dhe në diasporë ata thonë se vazhdojnë të ruajnë një pjesë të riteve dhe zakoneve gjatë festave familjare, veçanërisht këngët që janë polifonike dhe veshjen, e cila është unike e me motive që zanafillën e kanë që nga koha ilire.Luma e Epërme, si rajon, ndodhet në perëndim të Maqedonisë së Veriut, dhe përfshin një pjesë të Shqipërisë dhe të Kosovës, po ashtu edhe disa fshatra malorë të komunës së Mavrovës, Rostushës dhe Gostivarit.Sarah Kadriu e veshur me veshjen e Lumës.
“Këtë thesar që e kemi trashëguar me shekuj nga nënat, gjyshet dhe stërgjyshet nuk duam ta mbajmë të fshehur në arkë, prandaj organizojmë ‘Takimet e Lumës së Epërme’ për t’u njohur me të gjenerata e reja dhe të krenohen të gjithë shqiptarët”, thotë Kadriu, një nga organizatoret e manifestimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.