Politike

Mori 225 mijë USD nga ish-spiuni shqiptar, McGonigal shmang gjyqin, pranon fajin!

Një avokat i Charles McGonigal, ish-kreu i kundërzbulimit për zyrën fushore të FBI-së në Nju Jork, i cili është akuzuar për fshehjen e 225,000 dollarëve që dyshohet se ka marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare, Agron Neza, tha se ai pret që çështja kundër klientit të tij në Uashington, DC, të përfundojë, duke e zgjidhur pa dalë në gjyq.

CNN ka raportuar se gjatë një konference të premten për çështjen e Uashingtonit, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, vuri në dukje se të pandehurit kanë dy zgjedhje, të pranojnë fajin ose të shkojnë në gjyq, ndërsa shtoi se kishte një “shans të mirë që çështja do të zgjidhet” pa pasur nevojë të shkojnë në gjyq.

Veterani 22-vjeçar i FBI-së, i cili doli në pension në vitin 2018, u akuzua në janar në dy aktakuza të veçanta në Nju Jork dhe DC në skemën e supozuar dhe për gjoja se kishte punuar me një oligark rus të sanksionuar pasi doli në pension.

Sakaq, McGonigal është deklaruar i pafajshëm për të dyja aktakuzat. Komentet e DuCharme sugjerojnë se prokurorët e qeverisë dhe avokatët e McGonigal mund të bashkëpunojnë për një marrëveshje mes palëve për pranimin e fajësisë në këtë rast. CNN thekson se megjithatë mbetet e paqartë se si do të dukej një marrëveshje për pranimin e fajësisë midis prokurorëve dhe McGonigal dhe për cilat akuza ai mund të deklarohet fajtor.

Charles McGonigal shërbeu për përplasjet e forta politike në Shqipëri, pasi opozita e akuzonte për përdorim të ish-shefit të FBI për përgjigjme kundër opozitës apo lobime kundër saj në Uashington. McGonigal kishte takuar në Tiranë kryeministrin Edi Rama. Në lidhje për këto akuza kryeministri Edi Rama i rrëzoi menjëherë ato. “Çështja nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, nuk ka lidhje me asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, garantoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë