Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, është një ndër emrat (si ish-ministër) që lakohet në çështjen e inceneratorëve përfshi edhe në dosjen e fundit për Arben Ahmetajn
Gjiknuri u shpreh se përmendja e emrit të tij është për qëllime politike dhe se nuk ka asnjë provë që tregon paligjshmëri në dy udhëtimet e tij me biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ai ka nxjerrë edhe faturat që janë paguar nga ministria kur ai drejtonte



“Shkurt se e di që keni kuriozitet publik! Unë qëndrimet e mia i kam bërë publike dhe në komisionin hetimor; nuk ka ndodhur asgjë e re që nga ajo kohë, përveçse se rast pas rasti, gjithkush do të përdorë përmendjen e emrit tim për të ngritur kauza politike.
Të them të drejtën dhe po e them dhe këtu siç e kam thënë edhe në komisionin hetimor, të gjitha ato udhëtime, në fakt dy, se vetëm dy që kanë dalë në media, të pretenduara, janë udhëtime zyrtare. Ka dokumentacion përkatës në Ministrinë e Infrastrukturës. Jam në dijeni që mbase dhe Prokuroria i zotëron, edhe unë personalisht i zotëroj.
Nuk kam pse të bëj debat publik të nxjerr letra. Udhëtimet e mia si ministër janë të deklaruara, janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam vajtur as për qejf dhe “as kam bredhur me njerëz”, të cilët ju mund të pretendoni për lidhje të caktuara.
Për sa i përket rolit tim si ministër. Roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje ligjore në asnjë procedurë”, tha Gjiknuri duke publikuar më pas edhe faturat.



“E para njëherë, i kam shpjeguar dhe në komisionin hetimor rolin që ka pasur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë. Nuk ka dalë dikush të citojë një shkelje ligji nga unë si ministër në ushtrimin e detyrës time. Firmosja e një akti të qeverisë, pavarësisht nga pretendimet apo hamendësitë që mund të ketë në lidhje me këto procedura, nuk përbën as vepër penale, as shpërdorim detyre, sepse çdo ministër përgjigjet për atributin e zyrës që përfaqëson dhe nuk është qeveria organizatë kriminale. Përkundrazi, qeveria është një institucion i organizuar ku secili ministër, shpreh mendimin e tij dhe ushtron funksionin sipas detyrës që ka.
Pra këto janë ato që dua të them. Dua të shtojë në fund fare, mos e bëni hetimin penal apo akuzat sipur po hetojmë “pacientin zero”, ky njeh këtë, ka takuar këtë dhe secili paska marrë virusin. Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete. Kështu që lidhjet rastësore me persona apo njohjet, nuk kanë asnjë lloj vlere për pretendimet, të cilat ngritët ju”.
A ka bërë udhëtime me Mirel Mërtirin dhe Arben Ahmetajn?
“ Atëherë, ua thashë. Me Arben Ahmetajn kam bërë udhëtime, sepse ka qenë ministër, ka qenë koleg, dhe të dy udhëtimet e cituara konsultojini, drejtohuni dhe ju si gazetarë po të doni Ministrisë së Energjitikës, merrni informacionin zyrtar, a ka urdhër shërbimi dhe a ka dokumentacion shoqërues”.
Në dosjen e SPAK thuhet se Klodian Zoto ju ka paguar fjetjen në Vienë dhe Frankfurt pse duhet t’ua paguante ju z. Zoto një udhëtim zyrtar?, ishte një tjetër pyetje drejtuar tij nga media
“Mos bëni auto-sugjestionim. Ua thashë, i keni faturat atje, keni gjithçka atje.
Ju them një gjë, në detyrën time kam zbatuar ligjin. Akuza politike dhe akuzat “quasi” penale ka vite që ngrihen ndaj meje. Ua kam sqaruar në Komisionin Hetimor edhe në lidhje me njohjet dhe të njohësh njerëz nuk është krim”.
“Është shumë vap edhe ju duheni këtu…”, u pa i bezdisur Gjiknuri
“Referojuni faturave dhe çfarë kam thënë në komisionin hetimor…”, tha ai në ikje
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




