Kinema

Filmi Barbie do të ndalohet në Vietnam: qeveria e bllokon atë për ‘arsye gjeopolitike’

Edhe filmi më romantik në histori, “Barbie” mund të shkaktojë përplasje gjeopolitike. Duket e çuditshme, por është kështu. Filmi u censurua nga Vietnami, në kinematë e të cilit duhej të dilte brenda disa ditësh.

Autoritetet e Hanoit e bllokuan publikimin e tij sepse filmi përmban një skenë që tregon një hartë të diskutueshme në sytë e qeverisë vietnameze, “vija me nëntë pika” e famshme që përmban pretendimet kineze mbi të gjithë Detin e Kinës Jugore, nga i cili Vietnami pretendon një pjesë.

Barbie duhej të dilte në kinematë vietnameze më 21 korrik, që përkon me debutimin e saj kinematografik në shumicën e vendeve të botës. Media shtetërore më pas njoftoi se filmi nuk do të publikohet më për shkak të përshkrimit të kësaj harte të diskutueshme duke përdorur “vijën me nëntë pika”.

Vija në formë U e përdorur në hartat kineze përfaqëson zonat që Kina i ka pretenduar si pjesë përbërëse të territorit të saj. Të njëjtat zona që, përkundrazi, vendet e tjera të rajonit pretendojnë prej dekadash. E shfaqur për herë të parë në një hartë në 1947, “vija me nëntë pika” është e diskutueshme për Hanoi, duke pasur parasysh se zona e specifikuar si territor kinez përfshin një sasi të konsiderueshme hapësire që Vietnami e konsideron si platformën e tij kontinentale.

Gazeta shtetërore vietnameze “Tuoi Tre” raportoi për Reuters se për shkak të përdorimit të një harte që përshkruan këtë formë territori, Barbie nuk do të shfaqet në vend.

Vi Kien Thanh, kreu i departamentit të filmit në Vietnam, ishte i qartë: “Ne nuk lejojmë shfaqjen e filmit amerikan Barbie në Vietnam sepse përmban imazhin fyes të ‘vijës me nëntë pika’”.

Por, kjo nuk është hera e parë që qeveria vietnameze vendos të ndalojë shfaqjen e një filmi për shkak të përfshirjes së “vijës me nëntë pika”. Vitin e kaluar, filmi aksion Uncharted i Sony u tërhoq për të njëjtën arsye, siç ishte filmi i animuar i DreamWorks Abominable në 2019.

Netflix, nga ana tjetër, tërhoqi serialin dramatik australian Pine Gap në 2021. /La Stampa/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë