Teknologji dhe Inovacion

A duhet të përdorin punonjësit Inteligjencën Artificiale për të qenë më produktivë

Një profesor i Wharton këshillon kompanitë që të përpiqen të tërheqin këta punonjës, duke u ofruar atyre lehtësi

Një profesor i Wharton deklaroi se kompanitë duhet të përpiqen të nxisin punonjësit të tregojnë mënyrën se si e përdorin Inteligjencën Artificiale(AI) për të rritur produktivitetin personal, në vend që ta ndalojnë teknologjinë.

Ndërsa disa kompani i kanë deklaruar haptazi planet për të përfshirë instrumente të IA në proceset e punës, të tjera kanë marrë masa të rrepta për shkak të frikës që lidhet me privatësinë dhe ligjin.

Instrumente që mbështeten tek Inteligjenca Artificiale si ChatGPT i OpenAI – prezantimi i të cilit ka ngjallur shumë interes për IA gjeneruese – njihen për “manipulimin” e fakteve, plagjiaturën dhe krijimin e përmbajtjeve të rreme. Këto frikëra është e kuptueshme që janë shqetësuese për kompanitë e mëdha, shkroi në një blogpost, Ethan Mollick, profesor i menaxhimit në Wharton School të Universitetit të Pensilvanisë.

“Për momentin, Inteligjenca Artificiale nuk ka një përshkallëzim të mirë. Por, si një mjet i produktivitetit personal, kur përdoret nga dikush në fushën e tij të ekspertizës është e pabesueshme” – shkroi ai.

Punonjësit kanë treguar se e përdorin IA për të rritur produktivitetin dhe për të reduktuar ngarkesën në punë, disa madje e përdorin për të mbajtur disa punë.

Megjithatë, punonjësit nuk i ndajnë njohuritë me drejtuesit, për shkak të frikës se mos përfundojnë në telashe – tha Mollick.

Ai këshilloi kompanitë të përpiqen të tërheqin këta punonjës, duke u ofruar atyre lehtësi, si ditë më të shkurtra për të ndarë zbulimet e tyre. Mollick shtoi se përfitimet e mundshme të produktivitetit do ta bënin këtë shkëmbim të leverdishëm për kompanitë.

Profesori i Wharton shtoi se punonjësit kanë gjetur tashmë mënyrën për të kapërcyer ndalimet e përdorimit të AI në punë, siç është përdorimi i telefonave personalë për të hyrë në të.

Parashikohet se Inteligjenca Artificiale do të trondisë ndjeshëm tregun e punës. Në mars, një analizë e Goldman Sachs vlerësoi se kjo teknologji mund të sjellë humbjen e 300 milionë vendeve të punës me kohë të plotë në gjithë botën dhe do të rrisë produktivitetin global të punës.

Burimi: Business Insider/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë