Gazeta Si – Operacioni antidrogë i koduar “Nga bregu në breg”, ka çuar në pranga 20 shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një punonjës i policisë në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në një konferencë për shtyp nga SPAK, prokurori Vladimir Mara dha detaje për operacionin e finalizuar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Sipas prokurorit, ky grup merrej me trafikun e lëndëve narkotike të shtrirë nga Siria, Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Italia e vende të tjera të BE. Droga, sipas Marës transportohej me kamionë, e kamufluar në mënyrë të tillë që të mos dallohej në skanerat.
Sipas SPAK, falë hetimeve është bërë e mundur dokumentimi i episodeve të shumta të trafikut të lëndëve narkotike dhe janë identifikuar të 21 personat e përfshirë në këtë aktivitetet kriminal. Nga këto, 20 masa janë ekzekutuar këtë të martë, ndërsa tjetri i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në mesin e personave të arrestuar është edhe një efektiv policie i policisë kufitare në Shkodër, i dyshuar për korrupsion. “Punonjësi i policisë është korruptuar nga një prej trafikantëve”, – tha prokurori.
Mara tha po ashtu se të gjitha sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kryer në Shqipëri, ndërsa 3 të tjera në RMV, Greqi dhe Itali.
“Janë vendosur 21 masa sigurie. Janë sekuestruar mjete luksoze, pajisje kompjuterike etj. Më e rëndësishmja është që të gjithë sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kthyer në territorin e Shqipërisë. Kemi bërë edhe hetim pasuror për të gjithë anëtarët e grupit kriminal. Ka edhe persona që i është komunikuar edhe një masë e dytë sigurie sepse kanë qenë të prangosur. Hashashi ishte me origjinë nga Siria, heroina nga Turqia; ndërsa kokaina nga vendet e origjinës, me destinacion vendet e BE. Nuk kemi konstatuar episode kultivimi kanabisi në vendin tonë”,- tha Vladimir Mara.
Sipas dosjes hetimore prej 105 faqesh, përfshihen dhjetëra biseda të transkriptuara mes anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.
Po ashtu mësohet se janë zbardhur dhe dokumentuar një sërë episodesh të trafikimit të lëndëve narkotike, si ndaheshin rolet mes anëtarëve të grupit etj.
Kryesori i grupi është Endrit Bakiu, ndërsa pjesa e tjetër kanë pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike. Mësohet se bëhet fjalë për kanabis sativa në formën e çokollatës.
Ooperacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritet italiane, në disa qytetet si Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Korçë.
Personat ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste janë:
Endrit Bakiu
Suko Pajo
Artur Sulaj.
Arian Tola
Fadjon Çami
Viron Lekaj
Artan Agalliu
Shpëtim Pjeshka
Jani Çavo
Kudret Rustemaj
Besnik Ruçi
Pirro Çapi
Jani Meçja
Edmond Kabashi
Tomi Hila
Leonard Nergjoni
Artin Kurti
Astrit Miska
Ervis Çvilo
Mirash Gjoni
Sonila Sula (arrest shtëpie)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.