Gazeta Si – Në Rumani ka nisur Europiani U-21 dhe që në fillim kanë plasur polemikat, për shkak të gabimeve të rënda nga arbitrat në ndeshjen Francë-Itali. Francezët fituan 2-1, por arbitri holandez Lindhout dhe asistentët e tij bënë shumë gabime, që kulmuan me një gol të shënuar nga italianët, por që nuk u quajt.
Zemërim dhe shpërthim në kampin italian. Arbitrimi ishte mjaft i dobët, ndërsa UEFA është fajësuar për faktin se nuk po përdor teknologjinë në një event kaq të rëndësishëm.
Graciano Çezari, ish-arbitër dhe tani specialist gjykimi, për gabimet në ndeshjen në fjalë, është shprehur: “Gabime të papranueshme, të paimagjinueshme. Janë shumë gabime nga treshja holandeze në Francë-Itali. Mungon një penallti ‘solare’, një faull në rastin e golit të dytë të Francës dhe një gol fantazmë, pak fantazmë, i padhënë.
Janë të gjitha gabime të rënda që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultat. Një zgjedhje e çmendur, absurde nga UEFA për të mos përdorur VAR-in dhe ‘line technology’ në këtë event", - ka thënë Çezari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.