Kinema

Rrëfimi i Arnold Schwarzenegger: Ngacmime? Në jetën time kam gabuar me disa gra

Njëzet vjet më vonë Arnold Schwarzenegger pendohet dhe fshin të gjitha justifikimet që kishte nxjerrë për të mbrojtur veten kundër akuzave për ngacmim seksual në xhirime.

Aktori 75-vjeçar i “Terminator” rikthehet në kinema me një film dokumentar për jetën e tij dhe për të ky përfaqëson momentin për t’u pajtuar edhe me të shkuarën. Duke filluar nga viti 2003: atë vit, pak para se të rizgjidhej në zyrën e guvernatorit të Kalifornisë, ‘Los Angeles Times’ publikoi një histori që detajonte akuzat e bëra nga gjashtë gra që pretendonin se ishin ngacmuar në xhirime nga aktori.

Të gjashta ishin takuar me Schwarzenegger-in, një ish-kampion i bodybuilding-ut, gjatë xhirimeve të filmave, midis viteve ‘70 dhe 2000. Dy ishin përmendur me emër dhe mbiemër nga gazeta, të tjerat kishin preferuar të mbeten anonime. Një nga ata që zgjodhi të mos fshihej ishte prezantuesja televizive britanike, Anna Richardson.

Aktori u akuzua nga gratë se u kishte prekur gjoksin, se i kishte rrëshqitur duart nën fund të njërës prej tyre. Njëra tha se ai u përpoq t’i hiqte kostumin e saj të banjës në një ashensor hoteli, ndërsa një tjetër tha se ajo u mor dhe u ngrit nga bodybuilder dhe i kërkoi të kryente një “akt të caktuar seksual”.

Tri gra thanë se nuk e raportuan sepse ai ishte një yll dhe ata ishin të panjohura. “Çfarë mund të bësh? - tha njëra prej tyre për Los Angeles Times - ai është aktori më i paguar në botë, unë jam një e panjohur”. Askush nuk kishte bërë ankesë në gjykatë.

Schwarzenegger fillimisht i mohoi akuzat në atë kohë, për të pranuar më vonë se, po, ndoshta ai ishte “sjellë keq”. “Mendova se po bëja një gjë qesharake, - tha ai, - një gjë lozonjare, por gabova”.

Më pas ai shtoi: “E pranoj që kam ofenduar njerëzit dhe dua t’u them se më vjen shumë keq dhe se kërkoj falje sepse nuk është ajo që mendoja se po bëja”.

Me daljen në treg të një filmi dokumentar me tri pjesë, aktori nuk fshihet më. “Sot, - shpjegon ai, - mund ta shikoj atë histori dhe të them, nuk ka rëndësi se çfarë periudhe ka qenë, nëse ka qenë dyzet vjet më parë, thjesht ka qenë e gabuar. Harrojini të gjitha justifikimet, kam gabuar”. Në dokumentar, Schwarzy flet edhe për diçka tjetër, për shembull jetën e përtejme, në të cilën ai thotë se nuk beson: “Pasi të vdesësh, – shpjegon ai, – përfundon dy metra nën tokë, kushdo që thotë diçka tjetër është një gënjeshtër”.

“Parajsa, – shton ai, – është një përrallë”.

“Ne nuk do ta shohim më njëri-tjetrin pasi të ikim. Kjo është pjesa e trishtuar e historisë. Unë njoh njerëz që ndihen rehat me vdekjen, unë nuk jam, sepse do të më mungojë gjithçka”. /La Repubblica/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë