Gazeta Si – Kanë ardhur reagimet e para nga opozita për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Qëndrimet e tyre janë të ndryshme. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, e cilësoi të vonuar një akt të tillë, por e vlerësoi si një zhvillim pozitiv.
“Pavarësisht se i vonuar, arrestimi i Vangjush Dakos është zhvillim pozitiv për rritjen e fuqisë goditëse dhe hetimeve të SPAK te personat me pushtet politik dhe lidhje me qeverinë! Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ne kemi denoncuar prej vitesh abuzimet skandaloze, korrupsionin masiv, deformimin e vullnetit të zgjedhësve, shkatërrimin e zgjedhjeve, betonizimin e Durrësit, shpërblimin e grupeve kriminale me ofiqe qeveritare dhe pasuri publike!”, shkruan deputeti në rrjetet sociale.

Sipas tij, “Dako është një prej zbatuesve në terren të involvimit dhe përfshirjes së krimit në zgjedhje, në shkatërrimin dhe vjedhjen e tyre, pamundësinë për të garuar për shkak të shpërblimit masiv dhe lehtësimit që u bente grupeve të krimit të organizuar!”.
“Strategjia për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synonte dhe synon të mpijë reagimin e shoqërisë, qeveria ka imponuar pranimin e krimit si standard, duke asgjesuar votën dhe praktikisht asgjesuar demokracinë në vend! Të shpresojmë dhe inkurajojmë SPAK dhe institucionet e drejtësisë që ky mos jetë rasti i fundit, por i pari që nis goditjen me themel të mafies politike që dhunon gjatë zgjedhjeve dhe zhvat dhe komandon qytetarët më pas!” – thekson Salianji.
Deputeti Edi Paloka, që është i rreshtuar në krahun e Berishës, mendon se Dako ka qenë i përgatitur prej kohësh prej një gjë të tillë, duke ironizuar aksionin e SPAK.

“Sot në shtëpitë e atyre që do të arrestohen do bëhen dhe kontrolle banese. Në shtëpinë e Gjushit do gjejnë vetëm një divan dhe një bufe të kohës së Enverit! Ka një javë që Gjushi përgatitet për këtë ditë…”, – shkruan Paloka në rrjetet sociale.
Ai ngre aludime se kjo është e organizuar me regji qendrore dhe marrëveshjet me limonat e shtrydhur të Ramës vijojnë. “Një javë pasi e kishin marrë vesh dhe minjtë e bodrumeve të bashkisë Durrës, u shpall arresti për Gjushin. Del Tahiri, hyn Gjushi. Sigurisht pas mbarimit të zgjedhjeve. Çdo gjë me regji qendrore.
Marrëveshjet alla Rama me limonat e tij të shtrydhur vazhdojnë po njësoj. Askush nga ata nuk hap gojën për Ramen dhe ky ju garanton daljen e shpejtë nga burgu dhe sigurimin se milionat nuk ua prek askush. Gjushi madje duhej të blinte e manipulonte dhe zgjedhjet e fundit në Durrës përpara se të shkonte “me pushime”. Kjo është drejtësia e reformuar. Skenari: Edvin Rama, Regjia: Yuri Kim”, – thekson Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



