Senati amerikan votoi të enjten mbrëma në mbështetje të një mase që do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të paguajnë faturat e tyre. Ligji dypartiak që u mbështet nga 63 senatorë dhe u kundërshtua nga 36 syresh, tani i shkon presidentit Joe Biden për nënshkrim.
“Sonte, senatorët nga të dyja partitë votuan për të mbrojtur përparimin ekonomik të arritur me vështirësi dhe për të parandaluar falimentimin e parë ndonjëherë të Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti Biden në një deklaratë.
Dhoma e Përfaqësuesve e kaloi ligjin me mbështetje të gjerë nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë të mërkurën, për të lejuar qeverinë të vazhdojë të marrë hua më shumë para për të përmbushur detyrimet e saj financiare, duke tejkaluar tavanin aktual të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh.
Ligji nuk përcakton një kufi të ri monetar, por autoriteti i huamarrjes do të shtrihet deri me 2 janar të vitit 2025, dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Për më tepër, ligji kërkon mbajtjen e pjesës më të madhe të shpenzimeve federale në nivelin aktual në vitin fiskal duke filluar në tetor, me një rritje prej 1 për qind në 12 muajt pasues.
Masa nuk i rrit taksat dhe as nuk do të ndalojë rritjen e borxhit kombëtar, ndoshta me 3 trilionë dollarë ose më shumë gjatë një viti e gjysmë, deri në skadimin e saj.
Pjesë të tjera përfshijnë një pakësim të numrit të agjentëve të rinj që do të punësojë agjencia e grumbullimit të taksave, një kërkesë që shtetet të kthejnë 30 miliardë dollarë ndihma të pashpenzuara të marra për pandeminë e koronavirusit nga qeveria federale dhe rritjen nga 50 në 54 vjeç, për grupmoshat që duhet të punojnë, për t’u kualifikuar për ndihma ushqimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



