Drejtësia

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, SPAK kërkon burg përjetë për Redjan Rrajën

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe i dyshuar si ekzekutor. Ndërkohë, për të njëjtën çështje, për Artiol Halilajn janë kërkuar 35 vite burg.

Ky i fundit akuzohet si ndihmës, pasi sipas prokurorisë është personi që mori me makinë Redjan Rrajën pas atentatit.

Në deklarimet e dhëna në vitin 2019, Rraja jo vetëm që mohonte akuzën, por ngrinte dyshime për manipulim provash kundër tij.

“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. I qëndroj deklarimeve që kam dhënë gjatë hetimit, ndaj nuk dua të pyetem nga prokurori”, ka thënë Rraja.

I pyetur nga hetuesit për faktin se profili i ADN-së së tij përputhej me profilin gjenetik të përftuar në një palë syze, në doreza e në një kapuç të sekuestruar në automjetin e braktisur nga atentatorët e Ndojës, Rraja ishte përgjigjur: “Nuk kam lidhje me ngjarjen për të cilën më akuzoni. Mua më janë marrë dy herë mostrat e pështymës dhe gjurmët e gishtave në Drejtorinë e Policisë. Nuk e di si janë përdorur e çfarë është bërë me to. Në një rast më janë marrë pa avokat, edhe pse kam kërkuar praninë e tij. Po ashtu, më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit”.

Ngjarja

Atentati ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.

Pas breshërisë së tetë plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Hetimet

Rraja dhe Halilaj, akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal.

Arjon Halilaj u arrestua në maj 2020 dhe akuzohet si bashkëpunëtor në krim, ndërsa Rraja u prangos teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Sipas grupit hetimor, ai është zbuluar nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” me ngjyrë gri të përdorur nga autorët. Dyshohet se shënjestër e atentatit mund të ketë qenë prokurori Arjan Ndoj, i cili u akuzua edhe nga mazhoranca aktuale si i lidhur me bandat kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë