Ana e errët

Në Shkafanë dhe Nikël, në gjurmët e atentatorëve të prokurorit Ndoja

Shkafana gjendet përgjatë rrugës ku dhjetëra automjete udhëtojnë drejt Gjirit të Lalëzit. I njëjti aks ku banorët e zonës ndërkohë kanë mbushur stendat me produkte të stinës, hurma, shegë e lakra të bardha. Ku është vendi ku vrasësit braktisën makinën? Banorët ngrenë supet. E pritshme, askush nuk ka parë gjë, veçse kanë dëgjuar përmes medias se “tre persona pasi qëlluan ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja udhëtuan drejt Shkafanës ku edhe braktisën makinën e krimit”.

Megjithatë, policia beson se realisht se edhe gjatë braktisjes së automjetit tip “Benz”, i  vjedhur në qytetin e Lezhës, ndërsa targat të vjedhura në Tiranë, ka pasur dëshmitarë. Jo vetëm për shkak të frekuentimit të këtij aksi, por edhe për shkaqe të tjera, të cilave agjentët iu referohen.

Shkafana, përgjatë rrugës ku automjetet udhëtojnë drejt Gjirit të Lalëzit

Vendi u la nga vrasësit në afërsi të varrezave të Shkafanës. Në këtë vend, rruga që të dërgon drejt Gjirit të Lalëzit është në të dy krahët me varreza. Por në krahun e djathtë gjendet një xhep i tillë ku njerëzit parkojnë makinat, ashtu siç vepruan edhe vrasësit.

Ana e djathtë e rrugës ku parkohen makinat

Përballë këtij vend “parkimi” një banor shet prodhime të stinës, por siç tregon e këmbëngul “nuk del rregullisht për të shitur, kështu që edhe atë ditë mungonte”. Ai është pyetur së bashku me banorë të tjerë të zonës që ngrenë supet. Hetuesit janë të bindur se pas atentatit ku mbeti i plagosur Aleksandër Laho, prokurori Arjan Ndoja si edhe u plagos rëndë Andi Maloku, i cili ndërroi jetë në spital, vrasësit kanë ndeshur të papritura të tjera. Kryesorja ajo e eliminimit të gjurmëve.

Kthim në vendngjarje

Ekspertët e policisë llogaritën edhe njëherë sa kohë iu është dashur vrasësve të përshkruajnë distancën për t’u larguar nga mbikalimi i Sukthit për të dalë në nënkalimin që të çon në aksin kryesor drejt Gjirit të Lalëzit. Ata dyshojnë se vrasësit nuk e kishin lënë në dorë të rastësisë dhe as të improvizimit vendin ku do të braktisnin automjetin Benz për t’u larguar me një tjetër makinë të vjedhur. Shkafana është kthyer në “bujtinën” e agjentëve, të cilët kërkojnë një dëshmitar okular që mund të ketë parë duke u larguar vrasësit. Pasi referuar të dhënave që vazhdojnë të ngelen paraprake pas problemeve që vrasësit hasën duke tentuar të djegin makinën, ata kanë humbur kohë. Aq më tepër që e gjitha kjo ka ndodhur në një kryqëzim dhe siç dyshon grupi i hetimit “dikujt nuk mund t’i ketë shpëtuar çfarë po ndodhte në afërsi të varrezave”. Por ndonëse gjetja e një dëshmitari do t’u jepte dorë hetuesve, rindërtimi i identikitit edhe të personave të tjerë që gjendeshin në “Benz” me Redjan Rrajën (i dyshuar) varet edhe nga veprime të tjera të laboratorit shkencor. Prokurorët janë mjaft të rezervuar mbi veprimet që po kryhen, ndonëse që prej datës 1 nëntor kur u krye atentati ata kanë firmosur dhjetëra urdhra për policinë. Nga ana tjetër një pjesë e policisë vazhdon të ruajë në spitalin e Durrësit dy të plagosurit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, të cilët gjithashtu ruhen edhe privatisht nga miqtë dhe të njohurit. Edhe pse prokurori Ndoja është në gjendje më të mirë shëndetësore, ai vazhdon të qëndrojë në spital, ndërkohë që gjendja e mikut të tij i njohur me nofkën “Rrumi” vazhdon të paraqitet e komplikuar. Është ky shkaku pse Aleksandër Laho nuk është marrë ende në pyetje për të dhënë një version mbi dyshimet e tij, ndonëse hetuesit nuk kanë asnjë shpresë te fjala e dy të mbijetuarve.

Dëshmitari i tretë

Por sikurse mëson Gazeta “Si” ka edhe një person tjetër, i cili ka qenë i pranishëm në ngjarje, pavarësisht se në distancë. Ai është shoferi i Aleksandër Lahos. Një ekspert i kriminalistikës shpjegon në anonimitet për Gazetën “Si” se automjeti ku udhëtonte prokurori me shoferin e tij dhe ku pasagjer kishin edhe “Rrumin”, ndiqej i eskortuar nga makina e “Rrumit”. Të paktën ky është versioni i dhënë nga burime të Gazetës “Si”, të cilat shpjegojnë se pas drekës Aleksandër Laho nuk ka hipur në makinën e tij, por është ulur në sediljen e pasme për të udhëtuar me mikun e tij prokuror. Ndaj shoferi i “Rrumit” ka vazhduar rrugën i vetëm, duke i ndjekur pas, ndoshta si automjet eskortë. Por, i  pyetur nga hetuesit shoferi i “Rrumit” nuk ka dhënë asnjë detaj. Edhe e ka përshkruar ndërhyrjen e “Benzit” të vrasësve “të befasishme dhe të menjëhershme sa nuk kishte pasur asnjë mundësi reagimi” tregojnë burime të Gazetës “Si”. Megjithatë nga këqyrja e automjetit drejt të cilit u qëllua me kallashnikovë, hetuesit janë bindur përfundimisht se vrasësit kanë qëlluar drejtpërdrejt teksa udhëtuan paralel, në sediljen e dytë, aty ku gjendej “Rrumi” e më pas edhe në drejtim të makinës në tërësi.

Kontrolle

E ndërsa gjurmët e gishtave kanë tradhtuar të parin Redjan Rrajën, sidoqoftë kontrollet në fshatin e tij Nikël nuk kanë munguar edhe në banesa të tjera sikundër në shtëpinë e Durim Bamit apo edhe te familja Haka.

Rruga për në Nikël

Por banorët e Niklës janë mësuar prej vitesh me kontrolle, e prani të forcave speciale.

Nikla dhe problemet e saj

“Është për t’u habitur, por sa herë dëgjojmë vrasje mafioze në televizor, policia menjëherë na vjen në fshat”, tregon një i  moshuar, i cili kërkon me ngulm as mos të fotografohet dhe gjithashtu mos t’i përmendet emri.

Banorë të Niklës

“Ndoshta se këtu gjenden ca bashkëfshatarë që përherë kanë pasur probleme në atë fushë. Është e vërtetë që Durimi e Hakët i kanë shtëpitë me kamera dhe të blinduara, por ata shohin punën e tyre në fshat”, tregon ai. Në të vërtetë, vizita e fundit e policisë nuk ishte për shkak të “namit”, por së pari nisur edhe nga mënyra si ishte braktisur mjeti “Benz”, në një rrugë që të çon në Gjirin e Lalëzit, por nga ana tjetër të dërgon edhe drejt Ishmit që ka akses daljeje në Fushë-Krujë, e ka shtyrë policinë që të kryejë kontrolle në fshat përpara se të dilnin gjurmët e Redjan Rrajës. E ndërsa Rrajën e gjetëm në shtëpi nën efektin e kokainës tregon për Gazetën “Si” një burim policor, kontrollet ishin të pashmangshme në Nikël, pasi aty banojnë protagonistë të njohur të krimit. Por, në realitet nga krehjet në Nikël, policia përherë ka dalë duarzbrazur, edhe pse ndonjëherë ka gjetur jo armë po shkopinj bejsbolli, që siç e kanë përshkruar të zotët e shtëpisë “përdoren për lojë”.

Nikla

E ndërsa për policinë Nikla vazhdon të ngelet një sfidë e forcave speciale, për banorët ky fshat është njësoj si të tjerët. Rruga kryesore përpara se të hysh në fshat është e gjitha mobileri.

Mobileritë në rrugën kryesore, para se të hysh në fshat

Një burrë familja, e të cilit po rrit gjela për festën e fundvitit shpjegon se njerëzit janë të varfër dhe se çdokush sheh hallet e tij.

Një banor i Niklës, që rrit gjela për festën e fundvitit

“Kur erdhi së fundmi policia, menduam çka ndodhur prapë, ata vijnë ikin, këtë punë kanë edhe ata se mos kanë punë tjetër”, shton banori, për të cilin Nikla është si i çdokujt, që fshati i tij i ngjan më i bukuri.

I habitur për mitin e Niklës, Hakiu tregon duart e tij. “Ja shikoji janë duart e një punëtori që po shkon të punojë në ndërtim”, ilustron me shembuj Hakiu, banor i vjetër i   fshatit. Por ai bën të paditurin kur vjen fjala tek emra konkretë në fshat sepse “asnjë s’më ka bërë keq, pse të flas kot”.

Megjithatë, banorët janë të shtangur nga arrestimi i Redjan Rrajës. Ata këmbëngulin se ai është në gjendje të mirë ekonomike dhe pyesin, nëse edhe fshatari ynë është përfshirë në këtë ngjarje, çfarë e ka shtyrë? Në këtë pikë policia beson se Rraja, i cili nuk ka asnjë konflikt me asnjërin nga të dëmtuarit në atentat, kishte vetëm një shkak që është përfshirë në krim. Paratë.

 

Më Shumë