Gazeta Si – Rusia nisi një valë të re sulmesh ajrore kundër Ukrainës në orët e para të 29 majit, duke përdorur dronë dhe raketa lundrimi.
Administrata ushtarake e qytetit të Kievit, sipas raporteve të agjencisë “Kyiv Independent”, tha se forcat e mbrojtjes rrëzuan më shumë se 40 objektiva.
Sipas zyrtarëve, Kievi pësoi sulmin e 15-të ajror rus mbi qytet në muajin maj, duke shënuar sulmin e dytë radhazi natën me intensitet të ngjashëm. Fatmirësisht, në Kiev nuk u raportuan dëme apo viktima të konsiderueshme.
“Një tjetër natë e ngarkuar për kryeqytetin”, shkroi kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko në Telegramin e tij zyrtar.
“Megjithatë, falë profesionalizmit të mbrojtësve tanë, nuk ka pasur dëmtime apo shkatërrime të infrastrukturës dhe strukturave të tjera, përfshirë ndërtesat e banimit, si rezultat i sulmit barbar në Kiev”.
Sipas kryebashkiakut, nuk ka pasur të lënduar apo viktima. Rusia përdori një kombinim të dronëve Shahed-136 të prodhuar nga Irani dhe raketave të lundrimit në sulmin e saj, tha administrata ushtarake e qytetit.
Klitshcko tha se mbeturinat nga një seri objektesh ajrore ruse të gjuajtura mbi kryeqytet në orët e para të 29 majit, ranë në çatinë e një rezidence private njëkatëshe në lagjen “Podilskyi” të Kievit, si dhe në lagjet “Sviatoshyn” dhe “Holosiivskyi”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka paraqitur një projekt-ligj që do të vendosë sanksione 50-vjeçare ndaj aleatit të Rusisë, Iranit, tha shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak në përgjigje të asaj që Kievi thotë se janë furnizimet me armë të Teheranit në Moskë.
Kievi dhe aleatët e tij thonë se Irani e ka furnizuar Rusinë me armë, duke përfshirë qindra dronë, që kur Moska pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.
Teherani i hedh poshtë akuzat. Nëse miratohet nga parlamenti i Ukrainës, projektligji do të bllokojë tranzitin e mallrave iraniane përmes Ukrainës dhe përdorimin e hapësirës së saj ajrore, si dhe do të vendosë sanksione tregtare, financiare dhe teknologjike kundër Iranit dhe qytetarëve të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



