Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha nis të mërkurën pasdite rikthimin në politikë përmes një takimi me të rinj demokratë.
Kjo lëvizje e paralajmëruar vjen pas humbjes së demokratëve në zgjedhjet e 14 majit, dorëheqjes së Alibeajt si kreu i Komanduar i PD-së zyrtare dhe Kryetar i Grupit Parlamentar.
Qysh në fillim te takimit, Basha la te qartë se hapat do të jenë një e nga një. Teksa një i ri kandidat i PD-së për listën e këshilltarëve të bashkisë së Tiranës iu drejtua me kryetar, Basha u përgjigj:
“Unë kam dhënë dorëheqjen, më thoni zoti Basha t’i lëmë formalitetet. Nuk ka nisur akoma ndonjë fushatë, këtu duhet të flasim në mënyrë sa më të relaksuar”, tha Basha, duke i thënë ndër radhe se do te vijë koha edhe të tjerat.
Ai komentoi fushatën elektorale në zgjedhjet e 14 Majit duke thënë se palët nuk ofruan asnjë ofertë por vetëm Big Brother dhe tallava.
“Pse kemi ardhur në këtë pikë? Unë kam një shpjegim si kemi ardhur në këtë pikë. Rinia gjithmonë është aktive, Por është mësuar që politika i thërret jo për hallet e tyre por për hallet e veta. Mospjesëmarrja, bojkoti, është një mesazh ku baza është se nuk e shohin veten te oferta. Me aq sa e ndoqa fushatën vetëm ofertë nuk ishte.
Çdo shprehi tjetër. Gjuhë agresive, sulme, tallava, por jo ofertë. Politika na është kthyer në një Big Brother. Qëllimi i shfaqjes është të zbavisë. Është të kalojmë orët për t’u zbavitur. A mundet politika të kthehet në tallava dhe Big Brother?. Si do i zgjidhim ne problemet nëse instrumentin e vetëm që i zgjidh këto probleme e kthejmë në tallava dhe Big Brother?. Si mundet që rinia e cila është gjaku i shoqërisë të angazhohet kur nuk i jepet hapësira për t’u angazhuar”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha për pak nuk arriti dekadën si kryetar i PD-së megjithatë në takimin me të rinj, Basha e shkëputi veten nga politika duke kërkuar përmbysje të sistemit aktual dhe rikthim të demokracisë.
Basha tha disa herë se kishte reflektuar gjatë kohës që ishte shkëputur nga jeta politike duke iu përgjigjur edhe një vajzë të re se pse ndodhej në atë takim me të rinj.

Cfarë ju ktheu në këtë takim?
“Tërheqja që bëra një vit më parë ishte për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve që për fat të keq kjo nuk ka ndodhur por unë nuk kam hequr dore kurrë nga përgjegjësia për të mos i lënë njerëzit në mes të rrugës. Për të mos influencuar rrjedhjen e ngjarjeve nuk do të thotë që jam shkëputur nga interesi për këtë vend për PD dhe të ardhmen”, tha ai.
“Tërheqja më shërbeu për të parë edhe tek vetja ime se sa kohe i dedikojmë halleve dhe problemeve të njerëzve dhe luftës politike. Raporti duhet përmbysur, duhet që vëmendjen ta cojmë të hallet e njerëzve
Do vazhdojmë të shohim teatrin, të bëhemi pjesë e këtij teatri politik apo t’i kthejmë sytë nga këta 70% e qytetarëve që janë lënë mënjanë nga ky sistem politik, sa më pak kohe me baltën, intrigat dhe shpifjet dhe gjithë energjinë dhe vëmendjen tone tek njerëzit. Cfarë duhet të bëjmë ta shpëtojmë demokracinë nga kolapsi ku e ka futur politika, keqqeverisja dhe korrupsioni?”, vijoi Basha
Gjatë gjithë komunikimit, Basha iu ofroi një grupi të rinjsh tre teza që në fakt janë të vjetra dhe nuk janë realizuar gjatë kohës kur ishte kryetar, ajo e hapjes 100% të listave për deputet, vettingu në politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy.
“Të hapim garën në politikë, të hapim vettingun në politikë për një hetim të plotë politikanëve dhe familjarëve të tyre. Vettingu i politikës është emergjence kombëtare dhe listat e hapura vendosim dy baza të forta bashke me kufizimin e mandatit të kryeministrit”, tha ai. Basha e la të hapur garën në PD, nuk atakoi drejtpërdrejt Berishën ndërsa nënvizoi se do të punojë për një PD të vlerave pro perëndimit.
Ai u pyet konkretisht se pse nuk kishte reaguar ndaj akuzave të Berishës. “Kam zgjedhur të hesht i vetëdijshëm për plagët që shkaktonte cdo sulm i tij tek demokratët. Çfarëdo të thoja, vetëm do i thellonte këto plagë sepse në fund të fundit nuk kanë buruar vetëm nga ai, kanë qenë sulme që për vite me radhë janë bërë nga Edi Rama”.
Sipas tij, 14 maji ishte data e skadencës përfundimtare e politikës së vjetër
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


