Gazeta Si – Të paktën dy civilë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në rajonin jugor Kherson të Ukrainës për shkak të bombardimeve të kryera nga Rusia, tha një zyrtar ukrainas.
Ndërkohë, ushtria ukrainase raportoi se luftimet për kontrollin e qytetit lindor të Bahmutit ende po vazhdojnë.
“Rusia shënjestroi lagjet e banimit të zonave të populluara nga civilët dhe objektivat e infrastrukturës në rrethin [Herson] Berislav”, shkroi kreu i administratës ushtarake rajonale në Herson, Oleksandr Prokudin, në Telegram.
Prokudin tha se forcat ruse kryen 64 granatime të territorit të kontrolluar nga Qeveria ukrainase në Kherson, duke përdorur artileri të rëndë, raketa, tanke dhe dronë.
Pasi Ukraina rimori pjesë të rajonit të Khersonit vjeshtën e kaluar, forcat ruse kanë granatuar rajonin dhe qytetin pothuajse çdo ditë.
Në Ukrainën lindore, lufta për kontrollin e Bahmutit dhe rrethinave të tij ende është duke vazhduar, me mbrojtësit ukrainas që zmbrapsën 26 sulme nga forcat ruse gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 24 maj.
Drejtimet kryesore të sulmit të Rusisë përqendrohen rreth linjës së frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, e cila mbetet epiqendra e luftimeve në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.
Forcat ruse kanë nisur gjithashtu sulme në Liman, në veri të Bahmutit dhe Kupiansk, në rajonin e Harkivit, tha ushtria në raportin e saj të përditshëm.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë pretenduar se po arrijnë sukses gjatë luftimeve në Bahmut.
Rusia pretendon se e ka qytetin nën kontrollin e saj pas një muaj luftimesh që besohet të kenë marrë mijëra viktima, por ushtria ukrainase thotë se ka përparuar në krahët veriorë dhe jugorë të qytetit, duke synuar ta rrethojë atë./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



