Gazeta Si – Ervis Kurti është arrestuar, pasi dyshohet se ndihmoi Habib Rexhën, i cili ekzekutoi me plumb në kokë Arjan Gosën të dielën që shkoi në qytetin e Kavajës për hakmarrje.
Kurti, shoku i Rexhës, akuzohet për veprën “Përkrahja e autorit të krimit”, ndërsa autori i krimit, u vetëdorëzua në Policinë e Kavajës, ku rol kryesor në këtë proces kishte familja e tij.
Arma dhe makina që përdori Habib Rexha për t’u larguar nga vendi i ngjarjes është gjetur në zonën e plazhit në Durrës, pasi vetë Rexha ka treguar vendin se ku e ka lënë. Ervin Kurti, miku i tij e ka shoqëruar deri në Durrës.
Ndërkohë, në dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Rexha ka deklaruar se shoku i tij nuk kishte dijeni për krimin që ai kishte kryer.
Habib Rexha u vetëdorëzua në polici pas negociatave me familjarët e të riut. Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, autori i ngjarjes ka mohuar të ketë bërë një planifikim për vrasjen e Arjan Gosës, duke thënë se e kishte parë rastësisht brenda lokalit në Kavajë dhe nga gjaknxehtësia pasi iu kujtua vëllai i tij.
“Isha pranë një kinkalerie bashkë me një shokun tim. Pashë që shënjestra ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. U largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim të Kukësit”, u shpreh ai para hetuesve.
Rexha u vetëdorëzua ditën e sotme me vullnet të lirë dhe pas kërkesës së familjes. Ai qëndroi 2 ditë në arrati pasi vrau Arian Gosën në një lokal të Kavajës pasditen e së dielës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.