Gazeta Si – Enkelejd Alibeaj ka vendosur që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike. Këtë ai e bëri në një deklaratë për mediat, duke dhënë edhe arsyet e këtij vendimi. Alibeaj u shpreh se do të vazhdojë të jetë nënkryetar.
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar. Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale.
Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en. Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.
Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi. – Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen”, – tha Alibeaj në konferencën për mediat.
Ai theksoi se ka qenë një vendim i kryesisë që vendosi që pozicionin drejtues ta mbante deri pas zgjedhjeve vendore. “Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike”, – theksoi ai.
Pavarësisht rezultatit të dobët në këto zgjedhje, për të cilën mbajti përgjegjësi, Alibeaj pohon se ishte krenar për atë çfarë bëri në PD.
“Këtë vit që e kam drejtuar partinë kemi pasur disa arritje, për të cilat jam krenar. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit”, – tha Alibeaj.
Për rezultat e zgjedhjeve ai akuzon Ramën, por nuk harron të shigjetojë edhe Berishën, duke shtuar se shifrat e proporcionalit tregojnë që Partia Demokratike arriti ta kalojë këtë sfidë, arriti të mbijetojë dhe tani mund të shohë drejt së ardhmes.
“Zgjedhjet e 14 majit sollën monizëm pushteti, – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë. – Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës.
Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithsecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet”, – theksoi Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



