Njerez

Pandemia shtoi simptomat e depresionit te të miturit në vendet me të ardhura të larta

Një meta-analizë e 53 studimeve të publikuara në 12 vende në lidhje me shkallën e ankthit dhe depresionit midis adoleshentëve dhe fëmijëve para dhe pas pandemisë zbuloi se normat e depresionit u rritën, veçanërisht tek femrat në vendet me të ardhura të larta.

Autorët thonë se ky studim na jep një vështrim më të mirë se sa i fortë ishte efekti i pandemisë në shëndetin mendor të të rinjve.

Të gjitha studimet e përfshira u botuan nga viti 2020 deri në 2022 dhe raportuan mbi simptomat e depresionit ose ankthit duke përdorur të dhëna që krahasonin vlerësimet para pandemike me ato pandemike.

Studimi nxori në pah se simptomat e ankthit tek fëmijët dhe adoleshentët u rritën gjatë pandemisë. Ndryshimet më të mëdha në simptomat e depresionit dhe ankthit për fëmijët nga shtresat më të larta të të ardhurave mund të lidhen, sipas studiuesve, me aksesin më të madh në pajisjet digjitale.

Studiuesit thanë se fëmijët nga vendet me të ardhura më të larta mund të kenë parë më shumë kufizime në jetën e tyre të përditshme për shkak të pandemisë, si me mbylljen e shkollave dhe aktivitetet jashtëshkollore. Gjithashtu, mbështetja në teknologji dhe ekrane mund të ketë shkaktuar simptoma depresive për disa prej adoleshentëve.

Pandemia përkeqësoj depresionin tek ata që kishin përjetuar simptoma depresive, ndërsa ka shkaktuar simptoma të reja tek ata që nuk kishin përjetuar asnjëherë një episod depresiv.

“Pasiguria e përhapur, nganjëherë kufizime të rënda dhe ndërprerje të përsëritura gjatë pandemisë mund të kenë shtyrë disa të rinj, veçanërisht femrat dhe adoleshentët, të kalojnë depresion dhe ankth”, thanë autorët duke shtuar se politikëbërësit duhet të marrin parasysh pasojat që ka lënë pandemia, pasoja që vazhdojnë edhe sot dhe mund t’i shoqërojnë fëmijët edhe ndërsa rriten.

Studimi u publikua të hënën në JAMA Pediatrics.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë