Nga Gazeta Si- Në kohën kur Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, faktori ndërkombëtar është vënë në lëvizje për të ndikuar që procesi i kësaj të diele të mos zhvillohet me tensione.
Kështu mësohet se emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim sot në Bruksel me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuçia.
“U takova me komandantin e KFOR-it general major Ristuçia sot në Bruksel për të shkëmbyer përditësime mbi fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Unë jam mirënjohës për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe për njohuritë e tij të vlefshme për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”.
Ndërkohë procesi i zgjedhjeve në këto katër komuna do të monitorohet nga ndërkombëtarët, e veçanërisht nga SHBA-ja. Këtë e ka konfirmuar ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Hill ka thënë që jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe shumë shtete tjera besojnë se tani nuk është koha e duhur për t’i mbajtur zgjedhjet.
“Duke marrë parasysh që jemi në një moment kritik, në një moment shumë të rëndësishëm për dialogun, ne besojmë se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut”, u ka thënë Hill gazetarëve.
Më herët gjatë ditës, i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të njohin rezultatin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato.
“Ne i kemi ftuar, dhe unë personalisht e kam ftuar Listën Serbe që të marrë pjesë dhe të mos heqë dorë nga ndikimi që mund ta ketë. Ata kanë vendusr të mos marrin pjesë. Mirëpo këto zgjedhje janë obligim kushtetues”, ka thënë Esbobar për Zërin e Amerikës, më 20 prill.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – do të mbahen të dielën, 23 prill.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS–Republika e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




