Politike

124 të punësuar në bashkinë Tiranë me lidhje familjare, zëdhënësja e Këlliçit: 1 mln euro në vit u kushton taksapaguesve    

Zëdhënësja e fushatës së Belind Këlliçit, Silvi Bardhi, publikoi të mërkurën një listë me 124 emra të punësuar nga bashkia me lidhje familjare që sipas saj i kushtojnë buxhetit 1 milion euro në vit.  

Sipas saj, lista fillon me Drejtorin e Inspektoratit që ka të punësuar vëllain, kunatin dhe kunatën. Drejtorja e Tirana Parking ka të punësuar motrën, bashkëshortin dhe kunatin. Drejtori i policisë bashkiake ka të punësuar gruan dhe nipin e me radhë me nënkryetaren e bashkisë që ka të punuar bashkëshortin e të tjerë drejtorë.

“Mbi 10 milionë euro borxh ka lënë Erion Veliaj në dy mandate që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. Këto janë detyrime që do t’i shlyejnë qytetarët e Tiranës. Teksa ka rritur taksat dhe tarifat dhe ka lëshuar policinë bashkiake në fushata ndëshkimi duke vjelur miliona euro, sërish, të gjitha këto nuk i mjaftojnë Erion Veliajt. Kjo është qeverisja e tij. Janë qindra punonjës të Bashkisë që paguhen me taksat tona, thjesht për t’i shërbyer Erion Veliajt, profilit të tij personal, interesave politike që ai ka. Qindra punonjës që mbahen me taksat tona, kujdesen që Erjon Veliaj të dalë mirë në publik, të pëlqehet, t’i bëhet shpërndarje në rrjetet sociale.

Vetë Erion Veliaj, në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ka kaluar 4 muaj e gjysmë jashtë shtetit, duke marrë të paktën 11 mijë euro dieta.

Ndërkohë që me këto udhëtime nuk i ka sjellë qytetit asnjë përfitim, asnjë investim të huaj, asnjë shërbim që të jetë i vlefshëm për jetën tonë”, tha Bardhi duke u fokusuar më pas tek lista.

“Gjatë një vëzhgimi të pjesshëm të nëpunësve, tek 270 emra, rezultojnë 127 emërime nepotike. Drejtuesit më të rëndësishëm të Bashkisë kanë futur familjarët dhe të afërmit në pozicione të rehatshme, me rroga të mira”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë