Regjisorja e njohur e filmave për fëmijë, Xhenfise Keko, “ka pushtuar” kinematë spanjolle 16 vite pas vdekjes.
Mes emrave të shquar si Jean Vigo, François Truffaut apo Abbas Kiarostami, ndodhet edhe shqiptarja me filmat e saj.
Spanjollët e konsiderojnë si një autore të jashtëzakonshme të njëmbëdhjetë filmave artistikë të realizuar nga viti 1972 deri në 1984 në Shqipëri, ku të gjithë trajtojnë sfidat, zhgënjimet dhe aspiratat e fëmijërisë. Me një ndjeshmëri të pazakontë, Keko portretizon botën dhe vizionin e fëmijës, duke vendosur dëshirat dhe psikologjinë në qendër.
E gjithë kjo nënkupton të kuptuarit e fëmijërisë jo si një fazë tranzicioni drejt një moshe tjetër, por si një periudhë më vete, duke respektuar autonominë e djemve dhe vajzave të përcaktuara nga filozofi i pedagogjisë, René Schérer.
Regjisorja punon me fëmijë jo-aktorë, djem dhe vajza të përzgjedhura shprehimisht për filmat e saj, të cilët ndërveprojnë me aktorë profesionistë. Nga ana tjetër, praktika e saj kontribuon në shndërrimin e punës metodike të aktorit në një veprimtari lozonjare dhe spontane, duke ndjekur tezën e psikologut Lev Vygotsky të pedagogjisë së bazuar në lojë. Dekorat e filmave të saj ishin një hapësirë e hapur loje ku përfshihej i gjithë ekipi.
Filmografia e saj, e përshkuar nga statusi i saj si një grua punëtore në Shqipërinë komuniste gjatë viteve 1970 dhe 1980, gjithashtu duhej të kapërcente censurën dhe t’u nënshtrohej rregullave strikte. Megjithatë, falë subjektit të filmave të saj, ajo mundi të trajtojë tema tabu dhe shumë të diskutueshme në atë periudhë. Fabulat dhe metaforat e botës së fëmijëve jo vetëm që e lejuan t’i shpëtonte censurës, por edhe të përfaqësonte në ekran ëndrrat e një bote ndryshe për një brez të ri. Me gjithë arritjet e saj, Xhanfise Keko vazhdon të jetë një kineaste e panjohur në historinë e kinemasë, fakt që ka motivuar realizimin e këtij cikli.
Kinemaja në Spanjë ofron për shikuesit katër nga filmat e saj më të famshëm: “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”.
“Tomka dhe shokët e tij”
Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.
“Beni ecën vetë”
Nga kujdesi i tepruar i prindërve, Benin nuk e lejojnë të luajë jashtë mureve të shtëpisë. Xhaxha Thomai që vjen nga fshati e merr me vete dhe për herë të parë Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në familjen e xhaxhait dhe i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë së bashku me fëmijët e tjerë në një piknik. Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës, duke larguar frikën dhe mendimet negative të fëmijërisë.
“Mimoza llastica”
Në qendër të filmit është Mimoza një vajzë e vogël kryeneçe dhe e përkëdhelur që jeton në mes të një kujdesi të tepruar. Mimoza ka gjyshen e vet gjithmonë në dispozicion. Mimoza i dëbon vazhdimisht nga shtëpia shoqet dhe shokët e saj u prish atyre të gjithë lodrat deri sa mbetet e vetme dhe e penduar vetëm me kukullën. E izoluar nga vetmia dhe nga zilia që shikonte shoqet e tjera të gjitha bashkë ajo mundohej të shkatërronte dhe këtë shoqëri të shoqeve, por një ditë një murator që punonte pranë pallatit të vajzave e kuptoi sjelljen e vajzës dhe me të folurën e tij të ëmbël arriti ta bindë e ta këshillojë vajzën të ishte tolerante dhe e thjeshtë. Vajza e kuptoi gabimin dhe u bashkua me shoqet e saj dhe ndryshoi shumë.
“Taulanti kërkon një motër”
Taulanti katërvjeçar, fëmija i vetëm i një familje intelektuale, nuk mund ta durojë më vetminë. Ai kërkon një motër. Por sa më shumë ngulmon Taulanti, aq më shumë e neglizhojnë prindërit këtë kërkesë. Dalëngadalë, dëshira e Taulantit u pëlqen prindërve, të cilët e kuptojnë se duhet ta shohin dëshirën e tij më me seriozitet dhe vëmendje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.