Politike

Hoqën nga harta Kosovën, kompania spanjolle letër Ramës: Kërkojmë falje!

Gazeta Si – Kompania spanjolle “Melia Hoteles” kërkon falje për “zhdukjen” e Kosovës nga harta gjatë prezantimit të projektit për zhvillimin e turizmit në Konventën e Turizmit, të mbajtur disa ditë më parë në Shqipëri.

Drejtuesi i kompanisë, Gabriel Escarrer Jaume, ka deklaruar se ky gabim është bërë pa asnjë qëllim politik dhe se në asnjë moment “ekipet e tyre nuk janë përpjekur të lëndojnë ndjeshmërinë e dikujt”.
Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, Gabriel Escarrer Jaume thotë se ekipet kanë përdorur një hartë të vjetër, ndërsa shpreh mirënjohjen që qeveria shqiptare e ka kuptuar që është vetëm një gabim.

Letra e kompanise spanjolle drejtuar Rames. Gazeta Si, 6 prill 2023

“Po e shkruaj këtë letër për të kërkuar falje që kam përfshirë gabimisht, në një prezantim biznesi, një hartë të vjetëruar të Shqipërisë dhe vendeve fqinje, gjë që për fat të keq do të kishte gjeneruar disa shqetësime dhe njëfarë “zhurme” mediatike.

Jemi vënë në dijeni se nga qeveria juaj e keni kuptuar se nuk ishte gjë tjetër veçse një gabim dhe se në asnjë moment ekipet tona nuk janë përpjekur të lëndojnë ndjeshmërinë e dikujt, aq më pak të pozicionohemi politikisht në çfarëdo mënyrë. Për ne, siç ka bërë gjithmonë babai im, themeluesi ynë i mbrojtur, turizmi është një mjet për binjakëzimin e qyteteve dhe për krijimin social dhe ekonomik, mirëqenie kudo që jemi”, – thuhet në këtë letër.

Heqja e Kosovës si shtet pati shkaktuar shumë përplasje politike. Vetë kryeministri Edi Rama reagoi për këtë zhurmnajë politike e mediatike, duke theksuar se “konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja”.

“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot, duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll “Melia Group” në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova! Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!

Shqipëria s’është Irani, ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja! E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh!” – do të reagonte Rama në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë