Njerez

Nxënësja me sindromën down Arjona Bekteshi që nuk u la të konkuronte për universitet

Nga Gazeta Si Ajo është e vetmja maturante me sindromën down në Shqipëri që ka shprehur dëshirën të studiojë në Universitet, por, jo për faj të saj, nuk mundi të jetë në auditor për vitin akademik 2023-2024.

Pasioni i Arjona Bekteshit 21-vjeç nga Shkodra janë gjuhët e huaja, por për shkak të neglizhencës nga ana e ministrisë së Arsimit, e cila nuk solli në kohë testin e veçantë për provimet e Maturës Shtetërore, ajo u detyruar t’i jepte provimet në vjeshtë, duke humbur mundësinë për ndjekjen e studimeve universitare.

E ëma e saj, Fatmira Lekiqi tregon për Gazetasi.al se Arjona, që prej shtatorit kur përfundoi maturën, po kalon një gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të mungesës së komunikimit me shoqet, grupin artistik dhe rutinën e përditshme me të cilën ishte mësuar.

Nxenësja me sindromën down, Arjona Bekteshi. Gazeta Si, 22 mars, 2023.

“Ajo është adoleshente dhe përveç problemeve të moshës, edhe ‘statusi’ i saj shton gjendjen e rënduar. Është mbyllur në vetvete, ka refuzuar të flasë me ne që prej përfundimit të shkollës. Mungesa e rutinës së përditshme, shkuarja në shkollë, takimi me shoqet, organizimet në grupin artistik, gjithçka bënte më parë, sot nuk i bën dhe kjo e ka bërë të mbyllet në vetvete”, tregon Lekiqi.

Nëna e Arjonës ndjehet e zhgënjyer nga ministria e Arsimit. Ajo thotë se ka pritur më kot nga që ministria të merrte masa duke qenë se vajza e saj, vitin e kaluar, ishte e vetmja maturante me sindromën down që kërkonte të drejtën e studimit.

“Vajza ka pasion gjuhët e huaja, në shkollën e mesme nga testet e veçanta që i janë kryer ka marrë rezultate të mira. Pse mos t’i jepet një mundësi? Unë punoj në bibliotekën e qytetit Shkodër dhe fare mirë mund t’i krijoj një vend pune që të jetë e përfshirë në shoqëri”, thotë Lekiqi.

Problemi i Arjonës është deleguar nga shoqata e personave me sindromën down në ministrinë e Arsimit, por Lekiqi thotë se përgjigjja e vetme që kanë marrë është që Arjona të ndjekë kurset.

Të pyetur nga Gazetasi.al, ekspertë të arsimit thonë se prej vitit 2016 në universitetet publike janë hapur programe 2-vjeçare studimi për degë profesionale.

“Ekzistojnë mundësi që dhe për kategori të veçantë studentësh si rasti i Arjonës, nëse ka aftësi komunikimi dhe dëshirë, mund të studiojnë 2 vite në programet e degëve IT, sekretari, apo profesione si teknikë elektrike, hidroteknikë ujësjellës, asistent stomatologji, menaxhim ndërtimi e transporti, asistencë ligjore e administrative, teknologji automobilash, informatikë dhe teknikë rrjetesh”, thonë ekspertët.

Fatmira thotë se vajza ka nevojë të ndjehet e pranueshme në shoqëri dhe të mos diskriminohet. Sipas saj, mungesa e aktiviteteve e ka depresionuar, mbyllur në vetvete.

“Psikologët më thonë që të jetuarit në shoqëri për këtë kategori është shumë e rëndësishme. Gjendja e keqe psikologjike që po kalon, ma ka vështirësuar komunikimin me të. Do më duhen shumë kohë ta rikthej në gjendjen e mëparshme, kur gëzonte, ishte aktive, e gjallëruar”, thotë e ëma e Arjona Bekteshit.

Në ditën botërore të fëmijëve me sindromën down (dje), Arjona dhe Fatmira morën pjesë në aktivitetet e organizuara në Shkodër, por fytyra e adoleshentes tregon kaq shumë nevojën për t’u dashur dhe mbi të gjitha, për t’u pranuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë