Drejtësia

Gjyqi për ekstradimin, shtyhet në 4 prill vendimi për ‘spiunen’ ruse

Gazeta Si - Gjyqi ndaj "spiunes" së dyshuar ruse Svetlana Timofeeva është shtyrë në datën 4 prill, ku do të vendoset pranimi ose jo i kërkesës së shtetit rus për ekstradimin e saj.

Seanca për rusen e dyshuar për spiunazh zgjati rreth 2 orë dhe trupi gjykues mori disa ditë kohë për të dhënë vendimin.

Vetë Timofeeva ka kërkuar ndihmë shqiptare për azil politik, me arsyetimin se nëse ekstradohet në Rusi, atje do t’i rrezikohet jeta nga persekutimi.

34-vjeçarja ka treguar se gjatë vitit 2018 ka dalë  haptazi kundër Putinit dhe për këtë shkak drejtësia ruse e kërkon për akuzën e marrjes së paligjshme të informacionit.

Duke kujtuar konventën evropiane, si argument tjetër të persekutimit, Timofeeva ka shtuar bindjet e ish-bashkëshortit, që e konsideron një  përkrahës të Putinit. Bindjet politike, nënvizon 34-vjeçarja e arrestuar në Shqipëri, së bashku me Mikhail Zorin dhe Fedir Aplatov, ishin shkaku kryesor i divorcit.

Svetlana Timofeeva nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina.

Të tre tentuan të hynin në ambientet e Uzinës së Armëve në Gramsh dhe hodhën sprai neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.

Timofeeva po mbahet në paraburgim në burgun e grave në Tiranë, ndërsa çështja ndaj saj zhvillohet në Gjykatën e Elbasanit, pasi zona ku ndodhi ngjarja, Gramshi, përfshihet në këtë qark.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë