Gazeta Si – Pas aksidenteve tragjike të ditëve të fundit, me 7 viktima në 48 orë, policia ka shtuar kontrollet në rrugë duke përdorur makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamerat dhe makinat e pauniformuara.
Policia thotë se pas shkeljeve në rrugë, 8 shoferë janë arrestuar dhe 109 leje drejtimi janë pezulluar për shkelje të ndryshme. Nga shoferët e arrestuar, 6 prej tyre ishin në gjendje të dehur ndërsa dy pa patentë.
Kontrollet intensive, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Gjatë kontrolleve, duke përdorur bazën logjistike bashkëkohore, janë pezulluar 109 leje drejtimi, nga të cilat 83 për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 22 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po gjatë kontrolleve janë evidentuar nga mjetet inteligjente dhe janë ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara, por pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit, 234 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi, në qendrat e banuara. Janë ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 628 drejtues.
Janë ndëshkuar 211 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe 6 për manovra të gabuara apo gara shpejtësie: 395 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit: 103 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




