Njerez

Itali, 54 mijë adoleshentë janë të prekur nga Hikikomori, sindroma që të çon në izolim ekstrem

Në Itali ka një tendencë tek të rinjtë dhe adoleshentët për të mos dalë nga shtëpia, për të braktisur shkollën dhe miqtë dhe për t’u mbyllur në dhomat e tyre, duke kufizuar në maksimum marrëdhëniet me botën.

Të paktën 54 mijë adoleshentë italianë vuajnë nga “hikikomori”, sindroma që të çon në izolim ekstrem.

Instituti i Këshillit Kombëtar të Pizas ka kryer studimin e parë kombëtar që synon të vlerësojë se sa të izoluar janë adoleshentët dhe sa të prekur janë nga kjo sindromë.

Hikikomori është një term japonez që mund të përkthehet si “tërheqje sociale” dhe që tregon tendencën tek të rinjtë për të ndaluar daljen nga shtëpia, duke ruajtur kontaktet me jashtë kryesisht nëpërmjet internetit.

Fenomeni, në lidhje me të cilin deri më tani kishte pak të dhëna analitike, tani është objekt i debateve duke krijuar një alarm midis sociologëve dhe psikologëve në Itali.

Hulumtimi përfshiu të rinj midis 15 dhe 19 vjeç.

“Pas hulumtimit dolëm në përfundimin se rreth 54 mijë të rinj e pranojnë se janë në një situatë të tërheqje sociale”, thotë Sabrina Molinaro, studiuese.

18,7% e të intervistuarve deklaruan se nuk kishin dalë për një kohë të konsiderueshme, duke përjashtuar periudhat e izolimit nga Covid-19 dhe nga këta 8,2% nuk kishin dalë për një periudhë 1 deri në 6 muaj e më shumë.

Mosha më e rrezikuar është nga 15 në 17 vjeç. Djemtë janë më të prirur të luajnë online ndërsa vajzat të flenë, lexojnë apo shohin televizor.

Ndër shkaqet e izolimit, ndjenja e papërshtatshmërisë në lidhje me shokët merr një peshë vendimtare.

“Ndryshe nga sa mund të besohet, të kesh pësuar episode të bullizmit nuk është ndër arsyet më të shpeshta të zgjedhjes. Zhgënjimi dhe vetëvlerësimi janë shkaqet kryesore”, shton Sonia Cerrai.

“Një tjetër e dhënë pjesërisht befasuese ka të bëjë me reagimin e familjeve. Më shumë se 1 adoleshent nga 4 pranon se prindërit e kanë pranuar vendimin e tyre pa bërë shumë pyetje.

“Të dhënat janë të ngjashme kur bëhet fjalë për mësuesit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë