Drejtësia

Familjarët e viktimave të ’21 janarit’, kallëzojnë në SPAK Berishën, Bashën e Prendin: Nuk kemi besim te Prokuroria

Gazeta Si – Familjarët e viktimave të “21 Janarit” kanë bërë një kallëzim të ri në SPAK këtë të enjte kundër kreut të demokratëve Sali Berisha, ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave, i cili depozitoi sot në SPAK kallëzimin e ri, tha se çështja duhet të merret nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës, pasi po zvarritet çështja.

LEXO EDHE:
– Dokumenti me firmën e Manjës/ Qeveria padit Berishën e Bashën për 21 janarin, ja dy akuzat!
– Provat e reja për 21 janarin, Berisha: Nuk komentoj manipulimet e Ardi Veliut

“Ne na ka rënë në dorë një kasetë, audio, ku flitet për mekanizmin që ka përdorur Garda. Aty identifikohet zëri i komandantit të gardës, ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK, se te prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na i jepnin me shkrim, ata ia kanë kaluar prokurorisë, por prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë. Ata thonë nuk kemi prova, s’mund të na i refuzojë”,- u shpreh Mark Nika.

Kallëzimi i familjarëve vjen disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli moskompetencën për hetimin e dy kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Në këtë mënyrë, dosja i kaloi Prokurorisë së Tiranës.

Një muaj më parë, në 12-vjetorin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në oborrin e kryeministrisë, Partia Socialiste dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bënë kallëzim penal në SPAK për “21 Janarin”.

Pas publikimit të audiopërgjimit të ri, Prokuroria e Posaçme SPAK ka shpallur moskompentencë për dy kallëzimet e depozituara nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste për dosjen e “21 janarin”.

Sipas dokumentit, Berisha, Basha dhe Prendi akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shpërdorim detyre”.

Në 21 janar 2011 u vranë nga 4 qytetarë gjatë protestës së Partisë Socialiste para Kryeministrisë, në kohën kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha.

Edhe pas 12 vitesh ende nuk ka drejtësi për  Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë