Drejtësia

Dosja e ’21 janarit’, Prokuroria e Tiranës do të nisë verifikimin për audio-përgjimin e publikuar

Gazeta Si - Pas publikimit të disa provave të reja nga dosja e “21 janarit” 2011, ku humbën jetën 4 protestues në bulevard, Prokuroria e Tiranës do të nisë veprimet hetimore për verifikimin e fakteve që dolën në media më 20 janar të këtij viti.

Përmes një njoftimi, thuhet se verifikimet që do të kryhen nga organi i akuzës, do të futen në dosjen e hetimit për çështjen e 21 Janarit.

Pak pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Prokuroria e Tiranës tha se dosja e "21 janarit", është rihapur në vitin 2021 dhe është dërguar në polici.

"Pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës  penale nuk njihet, me vendim të datës 28.02.2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, për ndjekje  të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë", - thuhet në njoftim.

Në vitin 2021 është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Tiranës më 7 shkurt 2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Aleksandër Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”.

Sipas prokurorisë, me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, do të kryejnë edhe veprimet hetimore tëdeleguara në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej gazetarit Artan Hoxha më datën 20 janar 2023.

Më herët, qeveria me anë të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, njoftoi se do të depozitojnë këtë të hënë kallëzimin në SPAK, duke i bërë thirrje prokurorëve të hetojnë këtë çështje.

Pak para tij, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se audio përgjimi i publikuar në media është një manipulim nga ana e ish-kryepolicit Ardi Veliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë