Dosje

Arrestohet Alda Klosi, dëshmia e pastrueses fundosi zyrtaren e lartë: Vjedhjen e inskenova, lekët vinin me çantë

Gazeta Si - Alda Klosi, ish-shefja e Kabinetit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e të premtes nga policia me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Një dëshmi e re e dhënë nga pastruesja Rozeta Dobi, ka çuar në pranga zyrtaren e lartë, në shtëpinë e së cilës dyshohet se janë gjetur 500 mijë euro, përfshirë këtu edhe ato në tubin e ajrimit.

Zyrtarisht, sipas Policisë së Tiranës, 41-vjeçarja është e dyshuar për veprat penale: “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ka qenë dëshmia e re e Rozeta Dobit, pastrueses së shtëpisë së Klosit, e cila aktualisht ndodhet në qeli pas akuzave se bashkë me djalin, Havier Dobin, se grabitën para dhe sende të tjera me vlerë, që ka bërë prokurorinë të firmosë urdhrin për arrestimin e saj.

Dobi është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë dhe është shprehur se ngjarjen e vjedhjes e ka inskenuar, pasi Alda Klosi donte të ngarkonte me përgjegjësi ish-bashkëshortin e saj.

Sipas Dobit, në dhjetor 2022, Klosi i ka kërkuar që t’i ruante paratë, sepse kishte konflikte me bashkëshortin. Sipas pastrueses, paratë vinin që nga viti 2021 me çanta, por nuk e dinte se kush i sillte.

“Lekët vitin që nga viti 2021. Nuk kam dijeni kush i sillte, por vinin në çantë. Në dhjetor 2022, Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Atë ditë që i mora nuk ishte në shtëpi. Më tha merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin. Atë ditë s’kam marrë lekë”, mësohet të ketë thënë Dobi.

Alda Klosi ka mohuar që të jetë bashkëpunëtrore. Në dëshminë e saj pak pas arrestimit, 41-vjeçarja ka mohuar që të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me pastruesen e saj.

Policia ka dyshime për të dyja dëshmitë, edhe të Rozeta Dobit, pasi mund të jetë për të shpëtuar të birin, por edhe për dëshmia e Alda Klosit që nuk ka pasur bashkëpunim dhe nuk ka pasur faj merret me rezerva.

Prokuroria i ka ofruar më herët Dobit statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë”, duke i premtuar lirimin e djalit të saj Havierin, që dyshohet se ajo e ka pranuar.

Pastruesja personale e Alda Klosit, Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi arriti të vjedhë ne dhjetor 2022 një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori, që dyshohen se i përkasin zyrtares Alda Klosit.

Klosi po ashtu ka deklaruar se 120 mijë eurot e grabitura në shtëpinë e saj ishin të xhaxhait që jetonte në Amerikë.

Zyrtarja e Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave njëherësh këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, hyn në kategorinë e punonjësve të administratës, që ka detyrim të deklarojë pasurinë e saj pranë ILDKPI.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë