Politike

PD dorëzon kërkesën për ngritje komisioni: Të hetohet lidhja e McGonigal-Rama

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor “McGonigal”.

Deputetët e PD-së kërkojnë që të hetohet lidhja e kryeministrit Rama me ish zyrtarin e FBI-së të arrestuar, Charles McGonigal.

“Kemi dorëzuar kërkesën për 44 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Rama-McGonigal. Me këtë komision do ta nxjerrim Ramën nga kamarja ku është fshehur, pasi që e dini shumë mirë që kryeministri nuk pranon as interpelancë, as mocion me debat, as vjen të japë shpjegime në parlament, por në mënyrë të çuditshme del nga frengjia e Skype-s dhe mundohet të justifikohet.

Jo vetëm Komisioni do ta nxjerrë nga kamarja, por do ta nxjerrë edhe protesta e datës 11. Ndërkohë që, e dimë shumë mirë që ka një paralajmërim nga kreu i grupit parlamentar të PS për mospranimin e Komisionit Hetimor, nën justifikimin që nuk di sesi t’ia vë epitetin fëminor, apo budallallëk ligjor, pasi pretendon që ky Komisionet do të ndryshohet.

Ndërkohë rregullorja e përcakton qartë në nenin 25, kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni është detyrë e Kuvendit ta pranojë komisionin”, tha Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë