Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha përmes një deklarate për mediat se kryeministri Edi Rama, Lulzim Basha dhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim po zbatojnë në sinkron “kodin e heshtjes” lidhur me dosjen e shumëpërfolur në SHBA të arrestimit të zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
“...Edi Rama nuk foli një fjalë, u sëmur nga gripi diplomatik, burime të tjera thonë se fluturoi jashtë vendit, por një gjë është e sigurt; 5 ditë me radhë, në një kohë kur të gjitha mediat e botës lakonin për zi emrin e tij, për fat të keq dhe të Shqipërisë, që kishte përdorur një ish-oficer të sigurimit të shtetit për të korruptuar njeriun më të jashtëzakonshëm të agjencisë më të fuqishme të planetit, shefin e kundërinteligjencës së FBI-së, Charles McGonigal.
Edi Rama hesht si kurrë ndonjëherë në jetën e tij. Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim. E cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë.
Po këto burime informojnë se, deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë e tij me McGonigal, të cilin edhe mediat më të mëdha amerikane po e tallin, ka qenë një këshillë e guvernatores?, tha Berisha. Ai ka komentuar edhe heshtjen e Lulzim Bashës për rastin në fjalë.
“Në këto momente kur zien e gjithë bota, kur zien mediat e gjithë botës dhe jo vetëm të SHBA, ajo që bën përshtypje më të madhe është se edhe viktim-Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë.
A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston.
Ftoj shqiptarët të pyesin: si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij, nuk thotë një fjalë të vetme.
Gjithçka flet se përsëri, guvernatorja qëndron prapa heshtjes së tij.
Heshtjes së turpshme, të turpshme, të turpshme.
Mirë Rama, që është autori i një vepre makabër, por viktima e tij, si nuk gjen forcë të shqipërojë një fjalë të vetme?
I bëj thirrje çdo shqiptari të shtrojë pyetjen: çfarë ndodh, si ka mundësi? A ka një detyrim minimal ky njeri, qoftë edhe ndaj atyre që e kanë mbështetur gjer në fund, por edhe tani madje e mbështesin, të bëjë transparencë.
Të bëjë transparencë edhe kush i bën presion për të mbyllur gojën”, tha ai.
Më tej Berisha kërkoi: “Kodi i heshtjes po zbatohet edhe nga guvernatorja, e cila nuk ka lënë gjë pa komentuar...
U bëj thirrje FBI, agjencive të tjera të SHBA, të hetojnë se cilat kanë qenë qëndrimet e saj ndaj McGonigal. Ka informuar ajo vendin e vet për takimet që ai ka pasur, për veprimtarinë e tij, për vizitat e shpeshta në Shqipëri?
Ka informuar ajo për Deripaskën në Shqipëri, për kompanitë e tij që fryheshin si shushunja në Shqipëri, paçka se prej katër vitesh ishin nën sanksione të rrepta të SHBA?
Ka pasur ajo dreka e darka me ekipin Rama-McGonigal. Këto dhe gjëra të tjera janë të rëndësishme për autoritetet e vendit mik për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje"
Sipas tij, Rama dhe qeveria e tij janë nën hetim nga SHBA dhe se ka informacione që ministra të kabinetit qeveritar, kanë paraqitur dorëheqje, për shkak të kontakteve që ata kanë pasur me McGonigal, por nuk tha se kishin ishin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.