Qëndrimet në parqe, kopshte dhe hapësira të tjera të gjelbra urbane mund të ulin përdorimin e ilaçeve për ankthin, pagjumësinë, depresionin, presionin e lartë të gjakut dhe astmën.
Studiuesit në Finlandë zbuluan se vizitimi i zonave të tilla tre deri në katër herë në javë zvogëlon shanset e njerëzve për t’u kthyer tek ilaçet për problemet e shëndetit mendor ose presionin e lartë të gjakut me një të tretën dhe për astmën me rreth një të katërtën.
Për më tepër, efektet pozitive të vizitës së hapësirave të gjelbra ishin më të forta tek ata që raportonin të ardhurat vjetore më të ulëta të familjes, zbuluan studiuesit.
Gjetjet lidhen me një numër në rritje të provave se mungesa e aksesit në hapësirat e gjelbra është e lidhur me një sërë problemesh shëndetësore.
Për të studiuar lidhjen, studiuesit nga Instituti Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien u mbështetën në përgjigjet e 16.000 banorëve të zgjedhur rastësisht të Helsinkit, Espoo dhe Vantaa, tre qytete që përbëjnë zonën më të madhe urbane në Finlandë.
Sondazhi mblodhi informacion se si banorët e qytetit, të moshës 25 vjeç, i përjetuan hapësirat e gjelbra që kishin afër shtëpive të tyre.
Të anketuarve iu kërkua të raportonin përdorimin e ilaçeve të përshkruara për ankthin, pagjumësinë dhe depresionin, si dhe për presionin e lartë të gjakut dhe astmën. Më pas ata u pyetën se sa shpesh kalonin kohë ose ushtroheshin jashtë në hapësira të gjelbra, me opsione që varionin nga kurrë në pesë ose më shumë herë në javë.
Studiuesit gjetën një lidhje të madhe midis vizitave në hapësirat e gjelbra dhe gjasave më të ulëta të përdorimit të ilaçeve për problemet e përmendura.
Krahasuar me “më pak se një vizitë javore”, vizita tre deri në katër herë në javë u shoqërua me 33% shanse më të ulëta të përdorimit të ilaçeve të shëndetit mendor, 36% shanse më të ulëta për të përdorur ilaçe për presionin e gjakut dhe 26% shanse më të ulëta të përdorimit të ilaçeve të astmës.
Hulumtimi është publikuar në revistën Occupational & Environmental Medicine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




