Treg

Kompanitë ajrore kompensojnë me 111 mijë euro pasagjerët

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil tregojnë se janë gjithsej 442 kompensime në total me nga 250 euro, ose me bileta falas.

Në buletinin e publikuar të AAC për muajin tetor nënvizohet se numri i kompensimeve pritet të rritet pasi një pjesë e madhe e formularëve të ankimimit nuk kanë filluar ende vlerësimin.

Thuhet gjithashtu se procesi po kalon një fazë ngadalësimi për shkak se një pjesë e madhe e pasagjerëve nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm te kompanitë ajrore, ndërsa në disa raste nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me atë që ju ka ofruar kompania.

Vonesat në fluturime

Ulet numri i fluturimeve, ulet edhe numri i vonesave ose edhe anulimeve të fluturimeve. Bëhet fjalë për muajin tetor. Të dhënat zyrtare tregojnë se  kompania me numrin më të madh të vonesave është Albawings, e cila pasohet  nga kompania Fly Ernest.Kompanitë i kanë argumentuar problemet e mos respektimit të orareve me probleme teknike.

Ndarja e trafikut

Të dhënat e AAC-së tregojnë  se kompania ajrore “Blue Panorama” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Tetor 2018, me një numër prej 55,817 pasagjerë ose 19% të totalit. Fluturimet Charter kanë zënë 15% ndaj totalit dhe 46,375 pasagjerë dhe duke vijuar me kompanitë “Albaëings” dhe “Ernest S.p.A” të cilat kanë secila 11% ndaj totalit. Gjatë muajit shtator kanë udhëtuar 299,354 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar për/ nga TIA, si dhe 46,375 pasagjerë kanë fluturuar me anë të linjave Charter.

Sipas të dhënave zyrtare, përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin Shtator 2018 e zotëron  Italia, duke zënë 49% të totalit, ndjekur nga fluturimet Charter me 15% si dhe nga Turqia, me 10%. Në krahasim me 2017-ën, gjatë shtatorit të vitit 2018 është vënë re  një rritje prej 61% e fluksit të pasagjerëve që kanë bërë fluturimet Charter. Ndërsa nga viti 2016 në vitin 2017 kanë shënuar një rritje prej 21%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë