Rend dhe Ligj

Çuçi uron Policinë e Shtetit në 110- vjetorin e saj: Mes institucioneve më të besuara

Gazeta Si – Në ditën e 110-vjetorit të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, përmes një postimi në rrjetet sociale përcolli urimin për përvjetorin, ndërsa shprehu mirënjohje.

“Sot Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besuara në vend dhe pavarësisht se krahasimet me të shkuarën janë si nata me ditën, sot është koha që ne të matemi me të ardhmen dhe të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona për të bërë një kapërcim epokal”.

Më pas, Çuçi rendit arritjet ku nënvizon se Shqipëria pati 30% më pak vrasje dhe 13.5 % më pak aksidente rrugore.

“Rritja e pagave me 15%, por edhe përfshirja në ndihmën e Pakos së Madhe, përbëjnë një mbështetje të konsiderueshme për zerimin e ndikimit të inflacionit të luftës në familjet e tyre,” shkroi ai.

Çuçi përmendi punën e Policisë së Shtetit, ku “Shqipëria pati 30% më pak vrasje dhe 13.5% më pak aksidente rrugore”.

Gjatë ceremonisë për 110-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, kreu i saj Muhamet Rrumbullaku tha se sot më shumë se kurrë qytetarët kanë përballë një polici profesioniste për t’u ardhur në ndihmë kudo dhe kurdo.

“Sot është një ditë feste, përzier me reflektim, ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe përulje të thellë. Nxënës shembullorë të mësimeve të së shkuarës, luftëtarë të së tashmes dhe gjithmonë e më të denjë drejt së ardhmes, kremtojmë këtë 110-vjetor, kryelartë përballë qytetarëve tanë, të cilët sot më shumë se kurrë, kanë duar profesionistësh, duar miqsh dhe duar bashkëpunëtorësh, me uniformë policie, të shtrira për t’u ardhur në ndihmë kudo dhe kurdo”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë