Gazeta Si – Një grua e moshuar në Maliq ka denoncuar në polici se një person i ka hyrë në banesë më 29 dhjetor dhe i ka grabitur një shumë parash prej 10 mijë eurosh.
Prej 7 ditësh, ajo qëndron e shtruar në spital, pasi u dhunua gjatë grabitjes nga një person i maskuar më 29 dhjetor 2022 në fshatin Pirg.
Luljeta Hoxha, 67-vjeçe, ka treguar se jeton e vetme dhe sapo u shtri për të fjetur, një person i ka hyrë në shtëpi dhe duke e kërcënuar i ka kërkuar paratë.
Sipas të moshuarës, autori i ka marrë kursimet e jetës, ndërsa nga dhuna ka përfunduar pa ndjenja në spital.
“Deri në orën 10 pa 20 isha zgjuar, rashë të flija dhe ikën dritat. U hap porta, unë isha shtrirë, erdhi një trup i gjatë dhe m’u hodh sipër. Lekët më tha se të vrava. I thosha se nuk kam lek, vetëm pensionin. Lekët më tha përsëri se të vrava. Më lidhi duart dhe gojën me një leckë dhe litar dhe me godiste. Më mori zvarrë nga dhoma tjetër, e më kërkonte përsëri lek”.
Pavarësisht nga përpjekja, e moshuara nuk i ka rezistuar dhunës psikologjike dhe fizike dhe pohon se grabitësi i mori 10 mijë euro.
“Lekët i kisha kursime, sepse kisha shitur tokat. Mendoja të kisha lekët për t’u pleqëruar e varrosur. 10 000 euro m’i mori. Në divan i kisha fshehur, aty ku flija. I gjeti vetë. Policia erdhi pasi u përmenda. Kam dhimbje të mëdha”.
Pasi u largua grabitësi, gruaja tregon se shkoi te komshinjtë për të kërkuar ndihmë.
“Isha e goditur dhe me ënjtje në trup. Lajmëroi policinë komshia, më pyetën dhe u tregova. Më mori policia dhe më solli pa ndjenja në spital”, – shtoi ajo.
67-vjeçarja nuk e ka idenë se kush mund ta ketë kryer grabitjen: “Nuk kam dyshime kush mund të jetë, nuk e di”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




