Në kushtet e një krize të zgjatur çmimesh, panorama e festimeve ravijëzohet pesimiste edhe këtë vit.
Edhe pse gjithë çfarë shihet deri tani janë oferta dhe paketa të shumta nga baret dhe restorantet, ata po refuzohen nga sjellja konsumatore që do të jetë sërish e orientuar drejt festimit në shtëpi.
Kjo tendencë e festave në ambientet familjare që dy vitet e shkuara ishte e diktuar prej rregullave dhe pandemisë së Covid-19, tashmë është e gjitha prej inflacionit.
“Festimi në bar-e nuk do të mungojë por në restorante po. Ka një tendencë tkurrje për shkak se edhe çmimet janë rritur nga viti i shkuar. Oferta nuk është më e njëjtë dhe duke qenë se kemi një ofertë më të shtrenjtë, edhe kërkesa për të është më e paktë”, thotë për Gazetasi.al Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve i cili shton se edhe ky vit ka qenë mjaft i vështirë.

Ndërsa paralajmëron se konsumi pritet të tkurret akoma më shumë në tremujorin e parë të vitit, ai shton që çmimet e kafesë do të rriten më tej për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë.
Ndonëse ka dhe nga ata që porosisin delivery dhe katering për familjen duke zgjedhur të mos i frekuentojnë fare ambientet e lokaleve, restorantet kanë vijuar të përgatisin paketat e tyre tradicionale.
Në Rogner organizimi është menduar me kohë, që para Krishtlindjeve,janë ftuar këngëtarët dhe është përzgjedhur menuja.
“Darka Gala e Vitit të Ri do të jetë 149 euro për person me pijet e përfshira. Duke nisur nga ora 20:00 mbrëmja do të nisë me kokteilin e mirëseardhjes dhe më tej do të vijohet me ushqimin.
Në menu kemi përfshirë 8 pjata dhe i kemi kushtuar rëndësi edhe programit argëtues ku do të këndojnë Eneda Tarifa, Bledar Sejko Band dhe Folk Music”, thotë një nga punëtorët për Gazetasi.al i cili shton se do të ndahen gjithashtu edhe shorte me dhurata.

“Do të ketë animatorë cirku për të vegjlit dhe spektakli i fishekzjarreve në kopësht. Për fëmijët deri në 3 vjeç do të jetë pa pagesë ndërsa për fëmijët nga 4-12 vjeç do të ketë 50% zbritje”,-shton ai mandej.
Ndryshe nga restorantet, ashtu siç edhe Jahaj pohon, bar-et kanë më shumë pritshmëri për klientë pas orës 00:00.
“Ndryshe nga viti i shkuar kur prej Covid-it ishim të detyruar të mos vazhdonim festimet pas orës 23:00, këtë vit presim që situata të jetë pak më mirë.
Megjithatë, efektet e krizës pritet të ndihen. Edhe nëse vijnë në bar dhe konsumojnë, nuk konsumojnë më pije aq të shtrenjta sa dikur, apo edhe në sasi si dikur”, thotë për Gazetasi.al banakieri nga bar Nostalgjia i cili shton se pijet e preferuara mbeten ende ato të hapurat, cocktail të ndryshëm, pasi nuk mund të përballojnë blerjen e shisheve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




