Ekonomi

“Parashikimet se ekonomia globale po shkon drejt një recesioni janë të pavenda”

Pavarësisht nga shumë parashikime, një rënie në mbarë botën në vitin 2023 nuk është e pashmangshme

Nga Jeffrey Frankel* – Ekonomistët drejtues të botës e shpenzuan kohën e tyre në 2022-shin duke bindur veten se nëse ekonomia nuk është tani në recesion, do të futet shpejt në të. Por në fund të vitit, ajo është shtyrë për në 2023-shin.

Qartazi, raportet se SHBA-ja ishte në recesion gjatë gjysmës së parë të vitin ishin të pamatura. Dhe, pavarësisht besimit me të cilin shumë njerëz përsëri shpallin pashmangshmërinë e një rënieje, shanset për një në vitin e ardhshëm janë shumë më poshtë 100%. Por, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së dhe bankat e tjera të mëdha qendrore, ka një shans rreth 50% për një recesion në vitin 2023 dhe një shans 75% që ai të ndodhë në një moment gjatë dy viteve të ardhshme.

Jeffrey Frankel

Europa, e goditur nga çmimet e energjisë ka më shumë gjasa të futet në recesion, pra në një rënie të PBB-së. Kina është në formën më të keqe. Ka probleme të njëjta me Europën, plus sektorin e pasurive të paluajtshme që po shembet dhe shifrat në rritje të Covid-19,  për shkak të vendimit të fundit të qeverisë kineze për të rihapur ekonominë pa një fushatë të mjaftueshme vaksinimi.

Ndërkohë rritja e Kinës vitin e ardhshëm pritet të jetë shumë më e ngadaltë se mesatarja historike dhe PBB-ja do të tkurret për dy tremujorë radhazi. Në fund të fundit, edhe një rënie prej 8% në rritjen e PBB-së kineze gjatë kulmit të krizës globale financiare të vitit 2008 nuk ishte e mjaftueshme për të shkaktuar tkurrjen e prodhimit të saj të brendshëm në terma absolutë. Ky është një shembull tjetër i të metave në përcaktimin e recesionit sipas rregullit të dy tremujorëve radhazi të rritjes negative të PBB-së.

Për më tepër, shumica e vendeve kanë probleme ekonomike të vetëshkaktuara, për shkak të gabimeve të politikave që kanë qenë sa të dëmshme aq edhe të parashikueshme. P.Sh, Europa pa qenë e nevojshme u var tërësisht nga Rusia në gazin natyror duke e bërë veten tepër vulnerabël ndaj Kremlinit dhe luftës në Ukrainë.

Po kështu, politika drakoniane e Kinës me zero-Covid erdhi me një kosto të lartë ekonomike, ndërsa mungesa e një plani se si të lehtësoheshin kufizimet pandemike nënkuptonte se strategjia e saj e kontrollit thjesht shtynte vdekshmëritë nga Covid.

SHBA, nga ana e saj, ka bërë gabime të shumta, duke përfshirë heqjen e vullnetshme të udhëheqjes së rendit ndërkombëtar dhe injorimin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kornizave tregtare që anëtarët e saj kishin negociuar gjatë shumë viteve. Tarifat e Donald Trump ishin të gabuara, megjithatë Joe Biden ka bërë pak për t’i kthyer ato. Në fakt, dispozitat “blej amerikane” në Aktin e tij të lavdërueshëm për Reduktimin e Inflacionit shkelin rregullat e OBT-së.

Ndërsa efektet e pritshme negative të normave më të larta të interesit nuk janë shfaqur ende ka shenja se “flluska e gjithçkaje” më në fund po shpërthen. Çmimet e aksioneve në SHBA arritën kulmin në janar 2022 dhe që nga ajo kohë kanë qenë në tendencë rënëse. Obligacionet, pasuritë e paluajtshme dhe aktivet e tregjeve në zhvillim janë të gjitha në rënie për këtë vit.

Në korrik 2021, unë argumentova se kishte 90% shanse që flluska e aseteve që po dominon tregjet financiare do të plaste. Historikisht, vlerësimet e larta, të lidhura me dividentë, fitime apo të ardhura, kanë qenë indikator të dukshëm, ndonëse normat reale apo nominale ishin pothuajse zero atë kohë.  

Ky vit nisi me katër lloje asetesh që bërtisnin “unë jam flluskë”; kriptomonedhat, aksionet e gamestop, NFT-të dhe blerjet e targetuara të kompanive. Të gjitha ishin inovative, por jo domosdoshmërisht në mënyrë të mirë dhe të gjitha këto u shembën në fund të vitit.

Ndonëse viti i ardhshëm do të jetë i vështirë për ekonominë botërore, rënia e ardhshme nuk duhet kualifikuar si recesion. Rritja globale post lufte ka rënë po ashtu. Por kriza e naftës e 1974-s dhe 1981-shit nuk u listuan si recesione.

Edhe nëse miratojmë masa më pak të rrepta për përcaktimin e një recesioni global, siç është rënia e rritjes së PBB-së nën 2.5%, një recesion global i vitit 2023 vështirë se është një përfundim i menduar mirë. A është e mundur? Sigurisht. Por është gjithashtu plotësisht e shmangshme.

*Jeffrey Frankel është profesor për formimin dhe rritjen e kapitalit në Universitetin e Harvardit. Ai ka qenë këshilltar ekonomik i presidentit Bill Clinton./The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë