Ngjarje

Sekuestrohen në portin e Ankonës dy ‘Range Rover’ të vjedhur, ishin nisur për Shqipëri

Gjatë kontrolleve rutinë të kryera nga Komanda e Ankonës ndaj drejtuesve dhe pasagjerëve të mjeteve në port është ndaluar një kamion që mbante disa makina të shtrenjta, ndër to dy Range Rover, të cilët tërhoqën menjëherë vëmendjen e personave që po kontrollonin.

Duke shqyrtuar dokumentet shoqëruese, janë konstatuar parregullsi. Kontrollet më të thelluara kanë nxjerrë në pah probleme me numrin e shasisë së dy makinave.

Pas identifikimit të numrave realë të shasisë, u bë e mundur të gjurmohej identifikimi i saktë i makinave, zhdukja e të cilave ishte raportuar tashmë në policisë. Personat që po tentonin të kalonin dy makinat për në Shqipëri janë të akuzuar tashmë për pastrim parash dhe posedim dokumentacioni fals, ndërsa dy makinat janë sekuestruar për verifikime të mëtejshme.

Gjithashtu, po në portin e Ankonës, është shpëtuar nga Karabinierët një qenush belg Shepherd Malinois që ishte nisur nga Shqipëria.

Qenushi udhëtoi në një çantë të vogël dhe kur Karabinierët e shpëtuan ai shfaqi simptoma dehidratimi, probleme me ecjen dhe nervozizëm.

Mediat italiane shkruajnë se qenushi udhëtoi ilegalisht nga Shqipëria në Itali brenda një transportuesi të vogël kafshësh.

Gjatë kontrolleve të zakonshme, karabinierët vunë re qenushin që po ulërinte brenda një çante të papërshtatshme për qentë.

Përveçse në kushte të vështira, qenit i mungonin edhe dokumentet e nevojshme për të udhëtuar jashtë vendit, si dhe vaksinat e detyrueshme, si ajo kundër tërbimit. Dokumentet me të cilat udhëtoi ishin të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë