Gazeta Si – Ervis Hasa dhe Redi Mato, punonjës policie në Elbasan, janë pezulluar nga detyra pas një konflikti fizik me njëri-tjetrin jashtë orarit të shërbimit.
Sipas burimeve paraprake, përplasja mes dy efektivëve të patrullës së përgjithshme të Elbasanit, ka ndodhur për një vajzë.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Ndërkohë që ndaj dy policëve ka nisur edhe një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për shkelje të rëndë disiplinore.
Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Ervis Hasa është konfliktuar për motive të dobëta, me Redi Maton, 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.
Gjatë konfliktit, Redi Mato në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë Ervis Hasën, i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




