Gazeta Si- Jemi në stinën e viroza ku në spitale janë shtuar pacientët që janë prekur nga virozat e stinës. Por ekziston akoma edhe frika e Covid.
Pneumologu Ardian Jorgji thotë për Gazetasi.al se “nuk është çudi që ka viroza në këtë periudhë pasi është stina e tillë. Stina vetë favorizon përhapjen e infeksioneve”.
Përsa i përket dyshimit nëse është Covid apo virozë, Jorgji thotë se kjo është pjesa më e vështirë.
“Nuk është e lehtë të thuhet nëse është virozë apo Covid pasi me testet, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë po tregohet se ka probleme për t’u vlerësuar saktë. Një person mund të dalë negativ pas testit por përsëri kjo nuk do të thotë se nuk është i infektuar”, thotë Jorgji.
Sidomos për format e thjeshta, pneumologu thotë se është e pamundur të dallohet nëse është Covid apo grip. Kjo vjen sepse shenjat klinike janë të njëjtat.

Gjithashtu dhe simbioza Covid me viroza të stinës shkaktojnë probleme. Pra sipas mjekut pneumolog, jemi në fillim të sezonit të gripit.
“Në janar, shkurt, mars mendoj se do ketë më tepër probleme. Do ketë shtime të rasteve të virozave. Ky është fillimi. Tani për tani gjërat nuk janë serioze por duhet pasur kujdes”, thotë Jorgji.
Jorgji tregon se problemet kryesore pacientët i shfaqin në mushkëri, sidomos kur viroza zgjat nga 5 deri në 7 ditë.
“Pas ditës së 5, 6 apo 7 duhet pasur më shumë kujdes dhe kthehet në një situatë që duhet merakosur, sidomos kur vazhdon temperatura apo fillojnë shqetësime si rëndesë në gjoks, probleme në frymëmarrje, kur kolla shtohet apo kur shtohen sekrecionet, ndryshojnë ngjyrë”, thotë Jorgji.
E gjitha mund të fillojë si një virozë por rrugës mund të kthehet në diçka më serioze pasi mund të bashkohet me një virozë tjetër apo mund të kthehet në infeksion bakterial.
Pacientët janë nga të gjitha moshat, pa veçuar asnjë por risku është më i madh tek të moshuarit dhe personat që kanë sëmundje të tjera kronike.
Mjeku pneumolog, duke i mëshuar edhe njëherë faktit se periudha që po kalon vendi tani është një situatë e përhershme periodike që ka ndodhur çdo vit, thotë se gjithçka vjen për shkak të mungesës së kujdesit.
“Njerëzit nuk kujdesen as për veten por as për të tjerët dhe prandaj përhapen infeksionet”, thotë Jorgji duke shtuar se duhet të ketë sensibilizim të njerëzve.
Edhe pse mund të mendojnë se kanë vetëm virozë, njerëzit duhet të vetëizolohen. Nuk duhet të shkojnë në vende ku ka grumbullime apo të takojnë persona që janë më në risk siç janë të vjetrit.
“Edhe pse është grip, duhet shumë përkujdesje”, përfundon Jorgji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




