Rritja e eksporteve edhe në nëntor ka vijuar me ritme të ngadalta.
Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme, eksportet në nëntor u rritën me 12.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë, duke arritur në vlerën e 42 mld lekëve.
Në shtator shifra ishte 16.3% dhe në muajt e parë të vitit zgjerimi mujor ishte rreth 50%.
Peshën kryesore në rritjen e tyre në nëntor vijuan ta mbanin tekstilet e këpucët, ndërsa për të tretin muaj ishin me tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.
Për 11 muajt e parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 447 mld lekë, duke u rritur me 32.6%, nga 35% që kishte qenë zgjerimi për 10 mujorin.

Fasoni, me ecuri pozitive
Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive.
Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 28% të totalit, u rritën me 19% për 11 mujorin.
Edvin Prençe, kreu i shoqatës së Pro Eksport, shprehet për Gazetasi.al se eksportet më tepër janë rritur në vlerë sesa në sasi, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

Për 11 mujorin, shitjet e tekstile e këpucë janë rritur me 21.4% por sektori vijon të vuajë ndjeshëm nga mungesa e fuqisë punëtore.
Prençe tha para disa javësh për Gazetasi.al se sektori ka nevojë aktualisht për rreth 20 mijë punonjës dhe kriza nuk është zbutur as nga punonjësit e huaj që priteshin të vinin në Shqipëri përmes kontratave.
Materialet e ndërtimit dhe metale bien
Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për të tretin muaj radhazi, duke u tkurrur me 19.3% në nëntor, nga 13.2% që ishte reduktimi në tetor.
Për 11 mujorin, ky grup është rritur me 35%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë në pjesën e parë të vitit.
Përshpejtohet grupi i lëndëve djegëse e energjisë
“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” kanë përshpejtuar sërish ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 51% në nëntor, nga 13.6% në tetor.
Për 11 mujorin shitjet e këtij grupi u rritën me 51%, duke qenë deri tani kontribuuesi kryesor në zgjerimin e eksporteve ë vend për periudhën janar-nëntor.
Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 14.8% për 11 mujorin, nga 20% në 5-mujor.
Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të rritjes së prodhimit në sera. Por këtë vit, ekspertët e bujqësisë thanë për Gazetasi.al se 20% e serave në Shqipëri janë mbyllur për shkak se fermerët po priren drejt emigracionit.
Bujqit në zonën e Myzeqesë ku prodhimi ra këtë vit, pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta.
Makineritë e pajisjet në rritje të fortë
Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke qenë grupi i tretë me kontributin më të lartë në zgjerimin e eksporteve, në nëntor, pas tekstileve e këpucëve dhe lëndëve djegëse e energjisë.
Ky grup u rrit me 37% për 11 mujorin.
Ulet deficiti në nëntor, thellohet për 11 mujorin
Importet e mallrave arritën vlerën 77 mld lekë, duke u ulur me 3.9%, në krahasim me një vit më parë dhe me 7.1%, në krahasim me tetorin.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 35 mld lekë, duke u ulur me 18.5%, krahasuar me nëntorin e 2021-shit dhe me 21.8%, në krahasim me tetorin e këtij viti.
Për 11 muajt importet e mallrave arritën vlerën 856 mld lekë, duke u rritur me 20.1%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 409 mld lekë, duke u rritur me 8.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Rriten eksportet drejt Italisë e Spanjës, bien drejt Kosovës
Sipas INSTAT, në nëntor, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë: Italia (11.1%), Spanja (74.1%) dhe Maqedonia (68.3%).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (9.3%) ,Greqia (4.0%) dhe Kina (26.6%).
Gjatë 11 mujorit vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (38.6%), Gjermania (67.6%) dhe Greqia (18.5%).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (1.1%) dhe Spanja (6.2%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61.3%, të gjithë tregtisë. Në nëntor eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75.1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53.7% të importeve gjithsej
Shkëmbimet tregtare, për 11 muajt e parë me vendet e BE-së zënë 59.8% të gjithë tregtisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




