Treg

Sejko: Sfida e bankave për vitin 2023, kreditë e këqija

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko është shprehur se dy sfidat kryesore të sektorit bankar për viti 2023, janë inflacioni që mund të rrisë kreditë e këqija dhe kërkesa për shtesë kapitali që në fakt është zhvillim me pasoja pozitive.

Sejko tregon se rritja e normës së interesit për shkak të inflacionit ka bërë që bankat ta transferojnë këtë efekt tek kredimarrësit.

“Por rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme në të ardhmen, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve. Zhvillimi i aftësive për të parashikuar dhe vlerësuar objektivisht kapacitetin pagues të klientëve ekzistues, pa u joshur nga fitime të shpejta afatshkurtra që mund të dëmtojnë një marrëdhënie afatgjatë të krijuar tashmë, do të jetë një nga sfidat kryesore për bankat gjatë vitit të ardhshëm”, – u shpreh Guvernatori në një takim me bankat tregtare në vend.

Ai shton se edhe gjatë vitit 2023 , do të vijojnë të rriten kërkesat për kapital dhe përmbushja e tyre siguron qëndrueshmëri më të lartë të sistemit bankar ndaj goditjeve, por edhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve financiare.

“Konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e numrit të bankave me peshë të lartë në sistem e bën imperativ zbutjen e rreziqeve sistemike dhe efektet mbi paratë e taksapaguesve, në rast të krizave të mundshme në të ardhmen”, -tha Sejko.

Gjithsesi Guvernatori tha se për një rritje ekonomike pozitive nuk mjafton vetëm politika monetare, por edhe bashkëpunimi nga aktorë të tjerë të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë